Maqedonia e Veriut ngec në autostradën Shkup-Bllacë

Maqedonia e Veriut ngec në autostradën Shkup-Bllacë

Nëse Republikës së Kosovës I nevojiteshin pesë vite për të ndërtuar autostradën Arbën Xhaferi me një gjatësi prej 65 kilometra, Maqedonisë së Veriut ende nuk dihet se sa i duhen për të ndërtuar 14kilometra autostradë respektivisht nga Shkupi deri në vendkalimin kufitar Bllacë, njofton Insajderi.

Ndërtimi i kësaj autostrade në Maqedoninë e Veriut, ishte premtuar edhe nga vet kryeministri i këtij vendi Zoran Zaev, pikërisht në inagurimin e autostradës Arbën Xhaferi, më 29 maj të vitit 2019.

Ja se çka deklaronte në atë kohë kryeministri i RMV-së Zaev.“Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ paraqet motivim edhe për ne që të përshpejtojmë procedurën. Edhe ne së shpejti do të shpallim tender për 14 kilometra rrugë nga Bllaca deri në Shkup, me çka rruga Shkup-Prishtinë do të përshkohet për 45 minuta”, kishte thënë Zaev gjatë përurimit të autostradës në Kosovë.

Por, prej atëherë e këndej pothuajse gjërat nuk kanë lëvizur aspak sepse ende është duke u punuar dy kilometrat e parë të kësaj autostrade.Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugë Shtetërore” në Maqedoninë e Veriut Ejup Rrustemi, tha se kjo ndërmarreje, po projekton edhe trasenë e dhjetë kilometërshit të dytë nga Bllaca deri tek rruga në hyrje të Shkupit. Ndërsa projekti për pjesën tjetër të rrugës, tha se do të jetë gati në shtator.

“Gjithashtu dua të potencoj se pjesa tjetër prej 10.2 kilometrash që fillon nga fshati Bllacë deri në qarkoren e Shkupit, është duke u bërë hulumtimi gjeomekanik dhe gjeoteknik dhe shpresojmë se deri në fund të shtatorit do ta kemi projektin me çka do të fillojmë edhe procedurat për të ndërtuar prokurimin dhe përzgjedhjen e kësaj pjese” është shprehur Rrustemi.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoninë e Veriut Bllagoj Boçvarsiki ka thënë se do të bëjë presion ndaj të gjitha palëve pjesëmarrëse në këtë projekt, që gjatë këtij sezoni të ndërtimit të mos ketë ndërprerje.

Ministri pranoi se para disa vitesh ky projekt ka qenë vetëm në letër.

Rikujtojmë se rruga Shkup-Bllacë që lidhet me autostradën Arbën Xheferi, është një premtim i kahmotshëm i partisë shqiptare në pushtet Bashkimit Demokratik për Integrim por që ende nukrealizohet.

E për të parë punët në kilometërshin e parë të kësaj rruge kishin dalur ministra e zëvendëskryeministra të Maqedonisë së Veriut, duke dhënë sërish premtime për këtë rrugë mjaft të rëndësishme për shqiptarët në të dy anët e kufirit. /Insajderi.com