Maqedonia e Veriut voton – në kohë Pandemie

Maqedonia e Veriut voton – në kohë Pandemie

Shkup – Në vendin fqinj,  Maqedoninë e veriut sot mbahen zgjedhjet parlamentare. Gjithsej 1.814.614 qytetarë të rritur kanë të drejtë vote.

Ata do të votojnë në 3480 vendvotime në tërë vendin. Maqedonia e veriut ka gjashtë zona zgjedhore, ndërsa shqiptarët janë të fokusuar në zonat 2, 5 dhe 6, kurse në njësitë tjera më pak.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut do t’i ndjekin 2.708 vëzhgues vendorë dhe të huaj.

Për monitorim të zgjedhjeve, akreditime nga KSHZ-ja kanë marrë gjithsej 2.551 vëzhgues dhe organizatorë vendorë dhe 158 të huaj, shkruan Insajderi.

Të gjithë të përfshirët në proces dhe qytetarët të cilët do të shkojnë në votim detyrimisht duhet t’i respektojnë masat parandaluese për mbrojtje nga përhapja e Coronavirusit, ndërsa ato janë mbajtja e maskës, mbajtja e distancës prej një metër deri në një metër e gjysmë, dezinfektim të duarve gjatë hyrjes dhe daljes nga vendvotimi.

Përveç specifikës lidhur me Coronavirusin, në këto zgjedhje është lejuar të votojnë edhe personat të cilët deri më 15 korrik kanë mbushur 18 vjet dhe janë me dokumente të vlefshme dhe nuk organizohet votimi në diasporë, sepse nuk kishte numër të mjaftueshëm të shtetasve vendorë të paraqitur për votim.

Megjithatë, këta persona nëse janë në vend sot do të mund të votojnë në vendvotimet në adresën në të cilën do të paraqiten.

Zgjedhjet mbahen në situatë kur në vend me javë të tëra ka numra treshifrorë të rasteve pozitive me Coronavirus.

Por, Maqedonia e Veriut është pa Parlament që nga muaji shkurt, ndërsa e kryeson qeveria teknike detyra e kryesore e të cilës, sipas Marrëveshjes së Përzhinës, duhej të ishte organizim i zgjedhjeve korrekte dhe demokratike./Insajderi.com