
Kryeministri Zoran Zaev nuk arriti të fshehë emocionet në marrjen e dokumentit, të firmosur nga 29 liderët e shteteve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike.
Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kjo ditë është historike jo vetëm për Maqedoninë por edhe për rajonin dhe NATO-n.
“Ju uroj të gjithë atyre që morën pjesë me guxim politik në angazhimin për të ardhmen më të mirë. Ky ishte hap vendimtar, i cili i hap rrugën vendit tuaj për tu bërë anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Negociatat për anëtarësim do të fillojnë, duke i ndihmuar vendit tuaj për përgatitje në lidhje me anëtarësimin me të drejta të plota.
Të gjitha procedurat janë të kompletuara dhe të gjithë anëtarët e NATO-s posa ta ratifikojnë marrëveshjen, vendi juaj do të bëhet anëtarja e 30-të dhe do të ulet në tryezën tonë me të drejta të barabarta gjatë marrjes së vendimeve.”, deklaroi Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kryeministri Zaev tha se ftesa për anëtarësim në NATO, erdhi si rezultat i Marrëveshjes me Greqinë dhe zotohet se këtë proces do ta çojë deri në fund. Ai thotë se Maqedonia në NATO, do të thotë stabilitet për rajonin. Kreu i qeverisë Zaev tha se ky qëllim është rezultat dy dekadësh që nga pavarësia e shtetit, duke i atribuuar meritat të gjithë strukturave politike nëpër kohë.
“Si anëtarja e 30-të e ardhshme e Aleancës, ne jemi të gatshëm të japim shembull pozitiv në rajonin tonë dhe të mundësojmë zhvillime të mëtejshme në Ballkanin Perëndimor për paqe, prosperitet dhe rajon demokratik që mund të sigurojë ardhmëri të ndritur për të gjithë qytetarët tanë.
I nderuar Stoltenberg, më lejoni t’ju shpreh falënderimet e mia personale për ju, për ekipin tuaj dhe për zyrën lokale të NATO-s, për përkrahjen tuaj të vazhdueshme.”, tha kryeministri Zoran Zaev. Ai shprehu keqardhje që presidenti Gjorge Ivanov nuk është pjesë e delegacionit të Maqedonisë në NATO.
Nga Ivanovi, Zaev tha se nuk kanë marrë asgjë, asnjë porosi, asnjë uratë për ftesën nga NATO. Ne duhet ta pranojmë vendimin e qytetarëve, sidoqoftë të jetë ai vendim, tha Zaev, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve në finalizimin e këtij procesi.