Maqedonia me Qeveri të re

Maqedonia me Qeveri të re

Me 62 vota për, 5 abstenime dhe 44 kundër, Kuvendi i Maqedonisë ka votuar Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev.

Qeveria e re përbëhet nga tri subjekte politike, Lidhja Sociale-Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët. Partitë shqiptare do të drejtojnë shtatë ministri, ndërsa do të kenë edhe dy poste të zëvendëskryeministrave si dhe Kryetarin e Kuvendit.

Zgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar i ka paraprirë një debat i ashpër dyditor mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Kreu i ri i Qeverisë, Zoran Zaev tha se kabineti i tij do të do të punojë për kthimin e normalitetit në vend, sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik si dhe integrimin euroatlantik të vendit. Ai tha se Maqedonia do të jetë një shoqëri shumëtnike, e barabartë për të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo bindjeve politike.

Ndërkohë, ish-kryeministri, Nikolla Gruevskit në paraqitjen e tij para votimit të Qeverisë drejtoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë së re dhe programit të qeverisë së Zaevit duke e vlerësuar si rrënues të asaj që është arritur në Maqedoni gjatë qeverisjes së partisë së tij me Maqedoninë.

Ai foli edhe për raportet ndëretnike duke thënë se VMRO-ja dhe ai personalisht asnjëherë nuk kanë bërë ndarje etnike duke i quajtur pretendimet e tilla si perceptime të gabuara.

Në emër të grupit parlamentar të grupit të Bashkimit Demokratik për Integrim, deputeti Artan Grubi tha se me zgjedhjen e Qeverisë së re po përfundon edhe kriza politike në Maqedoni, dhe se dëshmi për këtë sipas tij është programi qeveritar që ofron mirëqenie për qytetarët, stabilitet, garantimin e rrumbullakimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimin euroatlantik.

Lëvizja Besa, që do të jetë opozita e re shqiptare votoi e përmbajtur me arsyetimin se edhe ky kabinet qeveritar, e në veçanti partia maqedonase nuk ka treguar gatishmëri për mbylljen e shumë çështjeve të hapura shqiptare. Kjo parti kishte ofruar një dokument me disa kërkesa për ridefiminim e shtetit, si kusht për të qenë pjesë e Qeverisë, por refuzimi i saj nga LSDM-ja sipas liderit të Lëvizjes Besa dëshmon se politikanët maqedonas ende nuk janë të gatshëm për një fillim të ri në Maqedoni.

Më herët gjatë ditës, debati parlamentar rreth zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë, kryesisht u fokusua në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, kur një grup i protestuesve ishte futur me forcë në Kuvend. I njëjti grup, pati ushtruar edhe dhunë, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore disa deputetëve të shumicës parlamentare.

Deputetët nga Partia Social-Demokratike, të kryeministrit tashmë të zgjedhur Zoran Zaev e kanë cilësuar ditë feste dhe arritje për demokracinë, datën e zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë. Sipas tyre, përfundimisht po i hapet rrugë sundimit të drejtësisë në këtë vend.

“Përfundimisht kthehet demokracia në institucionin ligjvënës, dhe më duhet të them se kjo e bën festive këtë ditë”, ka theksuar deputeti i LSDM-së Aleksandar Kiracovski.

“Deputetët e VMRO-DPMNE, e kuptoj se e kanë të vështirë të pajtohen me faktin se janë në opozitë, por ne nuk do të lejojmë më që të gjakoset as ky institucion, e as edhe një institucion tjetër i shtetit, sepse në bazë të programit për punën e Qeverisë së re garantohet para së gjithash, siguria e drejtësia”, ka thënë Kiracovski.

Në anën tjetër, deputetët nga radhët e VMRO-DPMNE-së të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kanë vlerësuar se Zoran Zaev, nuk ka kapacitet për të realizuar projektet e apostrofuara në programin e Qeverisë, që cilësohet si reformatore.

Zoran Iliovski nga VMRO-DPMNE, tha se nuk është e ndershme të flitet për sundimin e ligjit, përderisa Zoran Zaev është falur nga Presidenti i shtetit.

“Vetëm të theksoj se në rend dite ështëprogrami qeveritar dhe zgjedhja e Qeverisë së re të Maqedonisë dhe jo ngjarjet e 27 prillit. E drejtë e jona është që në hollësi të flasim për afinitetet e anëtarëve të kabinetit qeveritar, veçanërisht afinitet e mandatarit për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë”, ka thënë Zoran Iliovski.

“Është pak e besueshme se do kemi Qeveri reformatore, e cila do të angazhohet për sundimin e ligjit dhe drejtësisë, përderisa në krye të Qeverisë qëndron njeriu i cili është falur nga Presidenti i shtetit”, ka thënë Iliovski.

Përderisa deputeti tjetër nga VMRO-DPMNE, Ilia Dimovski e ka quajtur provokim adresimin në gjuhën shqipe të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Ai ka thënë se deputetët e kësaj partie politike refuzojnë ta njohin si kryetar Kuvendi përderisa Xhaferi bën këso lloj paraqitjesh në Kuvend.