Marko Gjuriq thotë se iu ndalua hyrja në Kosovë, Policia e mohon

Marko Gjuriq thotë se iu ndalua hyrja në Kosovë, Policia e mohon

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq sot nuk ka arritur të hyjë në Kosovë.

Këtë Gjuriq e ka cilësuar si vendim skandaloz, duke akuzuar institucionet e Kosovës.

“Ky është një vendim skandaloz nga Prishtina, dhe kundër të gjitha marrëveshjeve për lëvizje të lirë”, ka thënë Gjuriq, transmeton Insajderi.

Por Policia e Kosovës po e mohon se zyrtarit serb i është ndaluar hyrja.

Zv/komandanti i Policisë së Kosovës në Veri, Besim Hoti ka thënë për Gazetën Insajderi se kërkesa ka ardhur me vonesë.

“Jo nuk i është ndaluar hyrja, por kërkesa ka ardhur me vonesë ai ka pritur një kohë dhe është kthyer prap. Përndryshe lejen e ka pasur. S’ka pasur ndalesë, Policia nuk e jep lejen e jep MPJ. Por që në kohën kur ka arritur dhe kur i është aprovuar hyrja nuk i ka konvenuar, mirëpo ai lejen e ka pasur”, ka thënë Hoti.

Marko Gjuriq ishte arrestuar kohë më parë pasi kishte hyrë pa leje në Kosovë. /Insajderi.com