“Marrëveshja që të mos zgjidh lëndë” – Arsyeja pse gjyqtari Veli Kryeziu nuk punoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë

“Marrëveshja që të mos zgjidh lëndë” – Arsyeja pse gjyqtari Veli Kryeziu nuk punoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 2 maj të këtij viti kishte nxjerrë vendim me anë të së cilit kishte transferuar përkohësisht pesë gjyqtarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në mesin e tyre ishte edhe gjyqtari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Veli Kryeziu.

Por përkundër këtij vendimi të KGJK-së, që e obligonte gjyqtarin Kryeziu që për 6 muajt e ardhshëm të punonte si gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i njëjti nuk ka pranuar që të punojë aty.

Në mbledhjen e 20 korrikut, si pikë e rendit të ditës ishte edhe revokimi i vendimit për transferimin e gjyqtarit Veli Kryeziu.

Kjo kërkesë kishte ardhur nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, me arsyetimin se gjyqtari Kryeziu nuk ishte paraqitur në punë në gjykatën që ajo e drejton.

Gjatë mbledhjes në fjalë, kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi deklaroi se gjyqtari Kryeziu e ka arsyetuar këtë çështje me faktin se ka pasur probleme shëndetësore.

Por, nga deklarimet e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi dhe vetë gjyqtarit Veli Kryeziu dhënë për “Betimi për Drejtësi”, del se problemet shëndetësore nuk kanë qenë arsyeja pse gjyqtari Kryeziu nuk e ka zbatuar vendimin e KGJK-së.

Kryetarja Bytyçi ka thënë se gjyqtarin Kryeziu e kishte akomoduar në zyrë dhe i’a kishte ndarë lëndët, por i njëjti kishte pranuar të jetë vetëm anëtar i trupit gjykues, jo edhe kryetar i trupit gjykues.

“Gjyqtari Veli Kryeziu ka ardhë dhe unë e kam akomoduar atë në zyre. Unë ja kam ndarë atij edhe lëndët por ai nuk ka ardhë për ti marrë dhe është kthyer në Gjilan. Gjyqtari ka thënë se unë pranoj të punoj vetëm si anëtar i trupit gjykues, jo edhe si kryetar i trupit gjykues. Unë i kam thënë se duhet të punosh sikurse të gjithë gjyqtarët e tjerë. Pas kësaj nuk më ka lajmëruar asgjë. Ai ka qenë i caktuar që të punojë në Prishtinë dhe nuk është paraqitur për të punuar, dhe kjo normalisht që ndikon në efikasitetin e gjykatës” ka deklaruar Bytyçi për “Betimi për Drejtësi”.

Por, ndonëse ligji nuk e parasheh një mundësi të tillë, kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi thotë se paraprakisht ka pasur një marrëveshje që gjyqtari Kryeziu të jetë vetëm anëtar i trupeve gjykuese, dhe jo edhe të ngarkohet me lëndë.

“Gjyqtari Veli Kryeziu ka punuar në kundërvajtje. Ai profesionalisht nuk ka qenë në gjendje që të punojë lëndë në krime të rënda. Ne jemi marrë vesh ndryshe me gojë. Ne jemi marrë vesh që ai të punojë vetëm si anëtarë i trupeve gjykuese, por kur ka shkuar në Prishtinë, i kanë dhënë lëndë me zgjidhë, dhe ky është tërheqë mbrapa në Gjilan. Por, që nga ajo kohë e deri sot, ai punën si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjilan nuk e ka ndalur” ka deklaruar kryetari Azizi për “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, vetë gjyqtari Veli Kryeziu përmend dy versione se pse nuk është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dhe asnjëri nuk ka të bëjë me versionin e dhënë në KGJK se ai nuk ishte paraqitur në punë për arsye shëndetësore.

Kryeziu fillimisht përmend si arsye se i janë dhënë lëndët e vitit 2000, ndërsa më pas thotë se marrëveshja ka qenë që i njëjti të jem vetëm anëtar, dhe jo kryetar i trupit gjykues.

“Nuk kam shkuar të punojë në Prishtinë për arsye se nuk jemi marrë vesh me kryetaren. Ne jemi shkuar për lëndët “LV” ndërsa ajo më ka ndarë lëndë të vitit 2000. Marrëveshja në fillim ka qenë që unë të jem vetëm anëtar i trupit gjykues. Këshilli ka pru vendim që unë me shku vetëm si anëtar i trupit gjykues. Kur kam shkuar atje më kanë dhënë lëndë dhe unë kam refuzuar ti marrë ato. Kryetarja më ka thënë se “unë vendosi në këtë gjykatë”. Pasi ka thënë kështu, e kam bërë kërkesën me u tërhjek” ka thënë gjyqtari Veli Kryeziu për “Betimi për Drejtësi”.

Por, ndryshe nga ajo që deklaron gjyqtari Veli Kryeziu, vendimi i KGJK-së numër 130/2018, nuk përmend se gjyqtari Kryeziu transferohet të punojë vetëm si anëtar i trupeve gjykuese.

“Z. Veli Kryeziu, gjyqtar në Gjykatën Themelore Gjilan, transferohet përkohësisht nga Gjykata Themelore Gjilan në Gjykatën Themelore Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda. Kohëzgjatja transferimit për gjyqtarin Kryeziu nga Gjykata Themelore Gjilan në Gjykatën Themelore Prishtinë, është gjashtë (6) muaj me mundësi vazhdimi. Vendimi hyn në fuqi më datë 2 maj 2018” thuhet në dispozitivin e këtij vendimi.

Madje as në arsyetimin e këtij vendimi nuk përmendet një fakt i tillë.

Për më tepër, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi e edhe vetë gjyqtari Veli Kryeziu kanë dhënë pajtimin për këtë transferim.

“Si rezultat i kësaj, kryetari i Gjykatës Themelore Gjilan është konsultuar së bashku me gjyqtarët e kësaj gjykate, dhe pas konsultimit të tyre, me pajtimin e gjyqtarit ka dërguar në KGJK propozimin për transferim të përkohshëm të gjyqtarit z. Veli Kryeziu, nga gjykata Themelore Gjilan në Gjykatën Themelore Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda” thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Në anën tjetër, Rregullorja e KGJK-së nr.15/2016 për transferimin dhe caktimin e gjyqtarëve nuk parasheh mundësinë që një gjyqtar të transferohet dhe i njëjti mos të zgjidhë lëndë, por vetëm të marrë pjesë si anëtar i trupeve gjykuese.

Neni 4.1 i kësaj rregulloreje përcakton se me transfer të përkohshëm nënkuptojmë atë transfer të bërë nga KGJK me miratimin e kryetarit të gjykatës përkatëse, për periudha te arsyeshme kohore, me qëllim për të ndihmuar gjykatën ne rastet kur gjykata tjetër ka numër te pamjaftueshëm të gjyqtarëve për shqyrtimin e rasteve gjyqësore.

Ndërsa, neni 5 i kësaj rregullore përcakton: “ne rastet kur KGJK-ja përcakton se një gjykatë ka numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për menaxhimin dhe zgjidhjen efikase të lëndëve, mund të transferoj një gjyqtarë nga një gjykatë në tjetrën, për një periudhe të arsyeshme kohore me pëlqimin e gjyqtarit dhe miratimin e kryetarit të gjykatës. Transferi i përkohshëm deri në dymbëdhjetë muaj konsiderohet i arsyeshëm. Transferimi i përkohshëm, duhet te behet në bazë të ngarkesës së gjykatës me qëllimin e përgjithshëm të përmirësimit të efikasitetit, shpërndarjes së barabarte të vëllimit të punës ndërmjet gjykatave, dhe krijimin e mundësive për të siguruar zgjidhjen e rasteve ne kohe”.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi ka vazhduar të mbrojë qëndrimin se gjyqtari Veli Kryeziu nuk ka shkuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës për arsye shëndetësore, duke mos u deklaruar nëse ndaj këtij gjyqtari do të iniciohet ndonjë procedurë disiplinore për moszbatim të vendimit të KGJK-së.

“Përpos atyre arsyeve, ai ka përmendur edhe arsye shëndetësore. Sa i përket masave të mëtutjeshme do shohim. Nuk mund të deklarohem tash. Jam në pushim” ka qenë prononcimi i Idrizit për “Betimi për Drejtësi”.