fbpx

Masakër në spitalin psikiatrik në Rumani, katër të vrarë nëntë të lënduar

Katër të sëmurë janë vrarë, ndërsa nëntë të tjerë janë lënduar kur një pacient i ka sulmuar në një spital mental në verilindje të Bukureshtit, kanë lajmëruar mediet rumune.

Masakër në spitalin psikiatrik në Rumani, katër të vrarë nëntë të lënduar

Ky burrë 38 vjeç, i cili i ishte në shërim vullnetar, ka hyrë në një repart në spitalin Sapoka dhe me mbajtësin e infuzionit i ka goditur pacientët në kokë. Të sëmurit prej problemeve mentale dhe çmendurisë nuk ishin në gjendje të mbrohen.

Tre viktima kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa i katërti në një spital të afërt.

Në mes nëntë të lënduarve, dy burra janë në komë, ndërsa shtatë të tjerë janë diçka më mirë.

Kryerësi ka tentuar të arratiset, mirëpo e ka arrestuar një polic nga sigurimi i spitalit dhe menjëherë është dërguar në mbajtje.

“Gjithçka ndodhi për më pak se një minutë”, ka thënë drejtoresha e Spitalit Psikiatrik Sapoka, Viorika Mihalasku.

Sipas fjalëve të saj, sulmuesi ishte sjellë si gjatë “episodit psikotik akut”.

“Ky pacient është pranuar me nivelin normal të mbikëqyrjes, ndërsa simptomat të cilat i ka treguar nuk kanë paralajmëruar se do të ndodhë katastrofa”, ka thënë ajo për televizionin rumun TV “Antena 3”./Insajderi.com.