fbpx

“Masakra e kurbanëve”, reagon Drejtori i Urbanizmit: Harrojeni sevapin

“Masakra e kurbanëve”, reagon Drejtori i Urbanizmit: Harrojeni sevapin

Në ditën e festës së Kurban Bajramit, ku shumë besimtar mysliman, bëjnë therjen e kafshëve, mbetjet nga kjo therrje nuk u pastruan. Derisa ato u cilësuan edhe si “masakër e shtazëve”, shkruan Gazeta Insajderi.

Lidhur me këtë “masakër” ka reaguar edhe Drejtori i Urbanizimit në Komunën e Pejës, Rajan Arapi. Ai ka thënë se ata që i kanë hedhur mbetjet e kurbanit në kontejner le ta harrojnë sevapin.

Arapi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se veprime të tilla janë vetëm terrorizim ndaj banorëve.

“Ju që mbetjet e kurbanit i keni hedhur në kontenjer të mbeturinave harrojeni sevapin!!! Përkundrazi ju keni terrorizuar me kundërmim të gjitha ato familje që banojnë afër tyre, dhe më e keqja rrezikoni fëmijët nga ndonjë epidemi. TURP!”, ka shkruar Arapi.

Video: 

Një ditë më parë, profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti, ka reaguar ndaj mënyrës së therjes së kafshëve me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se këto janë ‘masakra të kafshëve dhe jo kurban’.

Hamiti përmes në Facebook ka kërkuar që pamje të tilla mos të përsëriten në të ardhmen, pasi ato  janë të turpshme dhe larg çdo etike njerëzore humane dhe fetare.

Ndryshe, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës ditë më parë ka ftuar qytetarët që kurbanet e prera të jenë në pajtim me ligjet e aplikueshme në vend, duke kryer këtë veprimtari vetëm në thertoret e licencuara.

Pavarësisht kësaj, therja e kurbaneve në vende joadekuate dhe johigjienike vazhduan të ndodhin në masë të madhe. /Insajderi.com