Masakrimi i myslimanëve, OKB debat për mizoritë në Birmani

Masakrimi i myslimanëve, OKB debat për mizoritë në Birmani

Numri i myslimanëve të etnisë rohingia në Birmani që janë larguar nga vendi drejt Bangladeshit që nga nisja e përleshjeve ndërkufitare 5 ditë më parë ka arritur në të paktën 18 mijë e 500.

Shifrën e ka komunikuar Zyra Ndërkombëtare e OKB-së për Emigracionin. Ndërkohë, disa mijëra të tjerë nuk janë në gjendje të kalojnë kufirin dhe janë strehuar në Situe, kryeqytet i shtetit Rakhine, në perëndim të Birmanisë.

Shumica e njerëzve të përfshirë në këtë eksod janë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Luftimet e ashpra mes forcave të sigurisë së Birmanisë dhe grupit militant të njohur si Ushtria Shpëtimtare e Arakan Rohingia nisën pasi këta të fundit sulmuan postoblloqet e ushtrisë dhe policisë, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të qeverisë birmaneze.

Grupet për të drejtat e njeriut i kanë cilësuar veprimet e forcave të sigurisë shumë ekstreme dhe druhen se minoriteti rohingia mund të bëhet pre e abuzimeve.

Mbi 70 persona thuhet të kenë mbetur të vrarë në luftimet e zhvilluara që prej datës 25 gusht, kur dhe nisën. Ndërkohë, ata që arritën të kalonin në Bangladesh gjatë kësaj jave po përballen me një akses të kufizuar në ndihmat humanitare në kampet ku janë sistemuar.

Në këtë vend ndodhen rreth 400 mijë rohingia që kanë emigruar në vitet e fundit dhe tani kufiri mes dy vendeve është zyrtarisht i mbyllur.

Në një deklaratë të publikuar ditën e mërkurë, drejtori i përgjithshëm i Zyrës së OKB për Emigracionin, William Swing bëri thirrje për ofrimin e ndihmës për ata që kërkojnë strehim në Bangladesh dhe bëri thirrje që dhuna në rajonin Rakhine të marrë fund.