MASHTI s’ishte në dijeni për dërgimin e mbi 450 punëtorëve të arsimit në bregdetin shqiptar

MASHTI s’ishte në dijeni për dërgimin e mbi 450 punëtorëve të arsimit në bregdetin shqiptar

Procesi mësimor ende nuk ka përfunduar, ndërsa Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka dërguar 452 anëtarë për pushime në bregdetin shqiptar.

Në lidhje më këtë Redaksia e Gazetës Online Insajderi ka kontaktuar me Ministrisë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e cila ka thënë se për një organizim të tillë është njoftuar nga mediat dhe për këtë nuk janë dakorduar më parë.

Në anën tjetër, nga SBAShK-u kanë thënë se për një organizim të tillë kanë vendosur duke parë punën e punëtoreve të arsimit gjatë pandemisë.

“Duke vlerësuar lartë angazhimin dhe përkushtimin e punëtorëve arsimorë në këtë vit mësimor me plot sfida e vështirësi të krijuara nga pandemia, SBASHK vazhdon me traditën e organizimit të pushimit në bregdetin shqiptar për një numër të konsideruar të anëtarëve të vet nga e tërë Kosova”, ka deklaruar kjo sindikatë.

Tutje është thënë se dhe në lidhje me të, pret mirëkuptim nga MASHTI dhe shpresojnë se nuk do të krijojnë ndonjë pengesë eventuale ndaj të përzgjedhurve për këto pushime.

“Këtë traditë e ka nisur të dielën e 20 qershorit grupi i parë prej 78 pushuesve , e në të cilin janë përzgjedhur anëtarët e SBASHK-ut që kanë kryer obligimet në procesin mësimor, ndërsa më 27 qershor do të shkojnë në pushimin e organizuar e të merituar 245 pushues të tjerë nga komuna të ndryshme të Kosovës. Ky aktivitet rekreativ do të vazhdojë më 4 korrik me grupin e fundit prej 129 pushuesve”, thuhet më tej në njoftimin e kësaj sindikate.

Në lidhje më këtë organizim, ka reaguar edhe kryetari aktual i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Skenderajt, Hysni Mehani, i cili ka kritikuar shkuarjen e personelit arsimor në Shqipëri.

“Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, sot do duhej të ishte ditë mësimi. Por jo, drejtori i DKA-së, bashkë me drejtorët e shkollave janë në deti”, ka pohuar Mehani.

Ai më tej, ka pyetur se “meqë disa drejtor janë emëruar ditë më parë, ku u lodhën aq shumë sa të meritojnë pushimin”.

Ndryshe nga mësimdhënësit, organizime të tilla janë ndaluar për nxënësit për shkak të masave Anti-COVID.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi nga ministria e Arsimit, kanë deklaruar se për shkak të COVID-19 dhe masave të qeverisë Anti-COVID të cilat janë ende në fuqi, nxënësve nuk u lejohen organizimet e tilla si ekskursionet e mbrëmjet e maturës.

Siç ka njoftuar MASHTI, procesi mësimor për parashkollorët, klasat e para dhe të teta do të përfundojnë mësimin më 2 korrik, ndërsa klasat e 9-ta, 10-ta dhe 11-ta e kanë përfunduar mësimin me 21 qershor./Insajderi.com