Mashtrimi i INTEREX – u shet konsumatorëve produkt me shifra të rreme

“INTEREX” ka mashtruar konsumatorët me produktin “Rollne Kuzhine 100M”, përmes shifrave reklamuese duke e paraqitur letrën higjienike si “100 metra” të gjatë, por në fakt ajo është e gjatë vetëm “73 metra” dhe jo 100 metra, siç thuhet në reklamën e produktit.

Mashtrimi i INTEREX – u shet konsumatorëve produkt me shifra të rreme

Nëse jeni të interesuar për t’u pajisur me letra higjenike për kuzhinë, mund të drejtoheni tek rrjeti i hipermarketeve “INTEREX”, i cili ka paraqitur një ofertë në zbritje për një produkt të tillë.

Mirëpo, puna të cilën keni planifikuar ta realizoni pas blerjes së letrës higjenike “Rollne Kuzhine”, e cila kushton 89 cent në njërin prej hipermarketit “INTEREX”, në Prishtinë, mund t’iu mbetet në gjysmë. Kjo shkaku i një mashtrimi që kjo kompani ka bërë me produktin.

Vetëm dhjetë ditë më parë “INTEREX” në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook shpërndau një ofertë javore me qëllim të reklamimit të produkteve në zbritje. Në mesin e produkteve reklamuese të cilave ua kishte zvogëluar çmimet, kompania kishte futur edhe produktin higjienik “Rollne Kuzhine 100m” të prodhuar nga firma britanike “Rose”.

Tek ky produkt, “INTEREX” kishte bërë një zbritje deri në 47 përqind, dhe ia kishte vendosur çmimin 89 cent, çmim ky i cili iu kishte vendosur vetëm brenda periudhës gjashtë ditore, të cilën kompania në faqen e vet në Facebook e kishte quajtur ofertë javore.

Sot i njëjti produkt “Rollne kuzhine” ka një çmim prej 2 euro e 59 centë.

 

“INTEREX” ka mashtruar konsumatorët me produktin “Rollne Kuzhine 100M”, përmes shifrave reklamuese duke e paraqitur letrën higjienike si “100 metra” të gjatë, por në fakt ajo është e gjatë vetëm “73 metra”, dhe jo 100 metra, siç thuhet në reklamën e produktit.

Gazeta Online Insajderi pranoi një informatë lidhur me dyshimin se kjo kompani po mashtron konsumatorët përmes shitjes së letrës higjenike “Rose”. Për të vërtetuar këto pretendime, Insajderi ka blerë letrën higjenike për të cilën kompania thoshte se është 100 metra e gjatë dhe e ka matur atë.

Pas matjeve të realizuara, është vërtetuar se kompania “INTEREX” ka mashtruar konsumatorët me shitjen e këtij produkti higjenik.

Matjet tregojnë se gjatësia e letrës së kuzhinës është vetëm 73 e metra, e jo siç shkruan në ekspozimin e produktit “Rollne Kuzhine 100m” të firmës britanike “Rose” në raftet e hipermarketeve të “INTEREX”. I njëjti mbishkrim – “Rollne Kuzhine 100m” – është i shënuar edhe në faturën e lëshuar tek arka e hipermarketeve të kompanisë kosovare.

 

Vitin që shkoi, aksionet e rrjetit të hipermarketeve “INTEREX” i bleu pronari i kompanisë “Emona Sh.P.K”, Shaip Mikullovci.

Përveç këtij mashtrimi, gjatë këtij viti Insajderi ka raportuar edhe për raste të tjera të mashtrimeve ndaj konsumatorëve kosovarë. Insajderi kishte dëshmuar se kompanitë “ETC” dhe “Super Viva” mashtruan konsumatorët duke iu vendosur produkteve çmime të ndryshme në rafte dhe duke i ndryshuar ato tek arka.

Insajderi kishte gjetur një seri prej së paku tre markteve të mëdha në Kosovë, që tashmë janë dënuar për mashtrim të konsumuarit. Ata mashtrojnë në çmime përkundër faktit se të hyrat e tyre janë multi-milionëshe pikërisht nga paratë e konsumatorëve.

Por, dënimet e shtetit  prej 1 mijë deri në 2 mijë ndaj tyre janë të ulëta krahasuar me të hyrat e mëdha që realizojnë këto markete. /Insadjeri.com

 

Mashtrimet e konsumatorëve nga hipermarketet – dënohet edhe “Super Viva”