Mashtrimi për t’u bërë profesor në UP dhe aktakuza për korrupsion – profili i “drejtorit në ikje” të KEK-ut

Dyshimet për korrupsion dhe falsifikimi i një dokumenti për ngritjen e kundërligjshme akademike në Universitetin e Prishtinës janë dy çështjet që e kanë ndjekur nga pas Arben Gjukajn në nëntë vitet e tij si Drejtor Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Mashtrimi për t’u bërë profesor në UP dhe aktakuza për korrupsion – profili i “drejtorit në ikje” të KEK-ut

Ishte korriku i vitit 2009 kur Arben Gjukaj u emërua drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pasi për një periudhë të gjatë kishte mbajtur pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit Menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Me rastin e emërimit në këtë pozitë, Gjukaj ishte zotuar se do të punonte maksimalisht në avancimin e mëtutjeshëm të KEK-ut në të gjitha segmentet. Ishte lavdëruar për punën e tij si Ushtrues Detyre i Drejtorit Menaxhues të KEK-ut.

Por, nuk kishte kaluar kohë e gjatë e puna e tij si drejtor i KEK-ut ishte kontestuar. Madje kishin qenë punëtorët e korporatës ata që fillimisht kishin hedhur dyshime për aktivitetin e tij në krye të KEK-ut.

Sindikata e Pavarur e Elektro-Kosovës kishte kërkuar largimin e Gjukajt nga pozita e udhëheqësit të kompanisë vetëm gjashtë muaj pas marrjes nën drejtim të saj. E kishte lënë atë fajtor për shkak të largimeve masive të punëtorëve nga puna pa mbulesa ligjore, pranimin e punëtorëve jashtë akteve të KEK-ut me nepotizëm dhe me familjarizëm.

Ndonëse presioni ndaj tij ishte i madh që në fillim të punës si Drejtor Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj kishte arritur t’i mbijetonte kritikave dhe presionit të njerëzve që kërkonin shkarkimin e tij.

Mirëpo, ekzistojnë dyshime nëse Gjukaj kishte arritur t’i mbijetonte presioneve të Sami Lushtakut, me të cilin ai dyshohet të ketë bashkëpunuar në vitin 2012 për t’i dhënë tender kompanisë së sigurimeve “Security Code”, e cila ishte në pronësi të Milazim Lushtakut, djalit të vëllait të ish-kryetarit të Skenderajt.

Kundër Gjukajt, Sami Lushtakut dhe pesë të tjerëve ishte ngritur një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbi dyshimet për korrupsion ndaj drejtorit të KEK-ut asokohe, e dyshimet për “shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare” ndaj ish-kryetarit të Skenderajt.

Në rastin e njohur si rasti i “KEK 2”, hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012.

Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen Sami Lushtaku, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Gjatë periudhës mars 2012 e deri në dhjetor 2012, Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”.

Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u. Lidhur me rastin ende nuk është dhënë një gjykim final, pasi gjykimi ndaj Gjukajt, Lushtakut e pesë të tjerëve ende po vazhdon në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

E historia e një drejtori të dyshimtë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nuk mbaron me kaq. Një vit pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale nën dyshimet për korrupsion, Arben Gjukaj kishte synuar ngjitjen akademike në Universitetin e Prishtinës (UP). Ia kishte arritur të bëhej profesor asistent në UP, megjithëse kishte falsifikuar një dokument.

Në fund të vitit 2016, asokohe drejtori i KEK-ut – i cili sot dha dorëheqje pas nëntë vitesh – kishte aplikuar për profesor asistent në lëndët: Elektroteknikë, Dizajnim i Qarqeve, Ngasje Elektrike, Pocesim Dixhital i Sinjaleve, Elektronika, Sinjale dhe Matje.

Komisioni vlerësues në përbërje të Arbnor Pajazitit – kryetar, akademik Isuf Krasniqi dhe Nysret Avdiu – anëtarë, kishte rekomanduar Gjukajn për profesor. Kishte eliminuar nga gara një kandidat tjetër, Arianit Maraj, edhe pse ai i plotësonte kushtet.

Por, Gjukaj kishte falsifikuar një certifikatë që dëshmonte se ai nuk është nën hetime apo në procedurë penale. Megjithatë, Gjukaj gjatë asaj kohe ishte në procesin gjyqësor së bashku me Sami Lushtakun dhe zyrtarë tjerë të KEK-ut për tenderin e dyshimtë në vlerë prej 6 milionë eurove.

Siç kishte raportuar Insajderi vitin e kaluar, për ta eliminuar pengesën e hetimeve, Gjukaj kishte dorëzuar certifikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në Gjykatë i kishin thënë Insajderit se ky lëshim është bërë për shkak se emri i Arben GJUKAJT është shkruar në regjistrat e Gjykatës Arben GJUKA dhe si rrjedhojë në sistem nuk ka dalë asnjë e dhënë se është në procedurë penale.

Pavarësisht se kishte mashtruar Komisionin e UP-së, Gjukaj prej vitit të kaluar është i angazhuar në Universitetin e Prishtinës si ligjërues. /Insajderi.com

Me dokument të rrejshëm ndjek rrugën akademike