Maskuliniteti toksik mund të jetë heroik dhe ja gratë që e vërtetojnë këtë

Shkruan: Slavoj Zizek

Maskuliniteti toksik mund të jetë heroik dhe ja gratë që e vërtetojnë këtë

Në mitologjinë greke, Antigona shfaqte të gjitha ato tipare që sot po kritikohen lirisht.

Kur përpiqem t’ua shpjegoj studentëve se çfarë dmth. “asociacione të lira” në praktikën e psikanalizës, gjithnjë i referohem shprehjes se mirënjohur: “Mos e hidh foshnjën tej, bashkë me koritën me ujë!”

Kur një psikanalist i kërkon një pacienti që “të bëjë asocim të lirë”, pra të pezullojë kontrollin e egos së vetëdijshme dhe të thotë gjithçka që i vjen në mendje, a nuk po kërkon krejt të kundërtën e thënies?

Pacienti duhet të hedhë tej foshnjën (pra egon) dhe të mbajë veçse koritën me ujë të asociacioneve të lira. Ideja është, natyrisht, që ky “ujë i ndotur”  do ta zbulojë të vërtetën e fshehur  të vetë egos së shëndoshë e të shëndetshme.

A nuk qëndronë e njëjta gjë edhe për ekologjistët e rremë? Ata janë të obsesionuar për vendbanime të “qëndrueshme” në vendbanime të pastra e të gjelbra, moskokëcarës për ujin e pisët që rrjedh lirshëm prej tyre drejt e në rrethinat e ndotura.

Ndoshta duhet të marrim qasjen e kundërt, ngjashëm si në Japoni: të përqendrohet sa më shumë ndotja dhe popullata në qytete të mëdha, kështu që, të funksionojnë si foshnje të ndyra në ujë (relativisht) të pastër.

Një shembull tjetër: numri i plotë i krimeve pedofilike që ndodhën në kishën katolike në tërë botën, që nga Irlanda dhe Pensilvania e deri në Australi. Këto krime janë kryer nga anëtarët e një institucioni i cili propagandon veten si kompasi moral i shoqërisë sonë, dhe kjo na detyron të heqim dorë nga ideja e “lehtë” se kisha mundet thjesht të dëbojë priftërinjtë e këqinj dhe të mbajë vetëm të mirët.

Ekziston një “pavetëdije institucionale”; një nënshtrat i mohuar, i pahijshëm, që mban në këmbë institucionin publik. Nuk është vetëm për hir të konformitetit që kisha mundohet të heshtë skandalet e veta të pedofilisë; në radhë të parë, duke mbrojtur veten, kisha është duke mbrojtur sekretin e saj më të lapërdhishëm.

Ndoshta, shembulli më i qartë na erdhi nga debati i kohëve të fundit, për maskulinitetin toksik. Në përgjigje të reklamës së fundit të Gillete për t’i bërë meshkujt më pak të dhunshëm, dhe më të mirë, shpesh dëgjuam idenë se reklama nuk ishte drejtuar kundër meshkujve, por vetëm kundër tepricës toksike të maskulinitetit. Shkurt, reklama tregoi që koritën me ujë të ndotur, pjesën brutale të maskulinitetit, duhet ta hedhim tej.

Por, ka probleme në këtë pikë. Le ta shikojmë më nga afër listën (propozuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë) e tipareve që supozohet se karakterizojnë “maskulinitetin toksik”: shtypja e emocioneve dhe fshehja e ankthit; prirja për të ndërmarrë rreziqe edhe nëse kjo përfshin sakaq rrezikun që të lëndojmë vetveten. Nuk e kuptoj dot se ç’është kaq specifikisht “maskuline” në këtë listë.

A nuk përputhen këto tipare me veprimin e thjeshtë të guximit në një situatë të vështirë ku, për të bërë gjënë e duhur, njeriu duhet të shtypë emocionet, kur njeriu nuk mundet të mbështetet në asnjë ndihmë, ndaj ndërmerr rrezikun dhe vepron, edhe nëqoftëse kjo do të thotë të lëndosh veten?

Njoh shumë gra – bile, më shumë gra se burra – të cilat, në situata të vështira, nuk i janë nënshtruar presionit të rrethit të tyre, dhe përkundër kanë vendosur të veprojnë pikërisht në këtë mënyrë. Për të marrë shembullin nga mitologjia greke: kur Antigona vendosi të varrosë Polinikun, a nuk kreu saktësisht një akt i cili plotëson karakteristikat kryesore të “maskulinitetit toksik”?

Përfundimisht, ajo shtypi emocionet e saja dhe e fshehu ankthin e vet, nuk deshi të kërkonte ndihmë, dhe ndërmori një rrezik që përfshinte dhe gjasat e mëdha për të lënduar veten. Në kohën tonë të konformizmit politikisht korrekt, një qëndrim i tillë paraqet rrezik.

Ne gjejmë gjurmë të kësaj figure klasike femërore guximtare në kulturën e sotshme popullore, sidomos në dy serialet televizive, Homeland dhe The Killing.

Heroina e Homelandit është Carrie Mathison, një oficere e CIA-s me çrregullim bipolar, e përfshirë në luftën kundër terrorizmit. Sensi i saj i rreptë e detyron atë të thyejë shumë rregulla dhe të futet në konflikt me eprorët e vet, gjë që edhe ia rrezikon jetën. Ngjashëm me inspektoren Sarah Lund, heroina e serisë së jashtëzakonshme daneze The Killing, tjetër personazh i lëçitur, e cila reagon dhunshëm kundrejt hipokrizisë së establishmentit dhe përfundon tërësisht e lëçitur (ekskomunikuar). Zot, na jep sa më shumë gra toksikisht-maskuline në jetën e përditshme!

Është një shaka e vjetër dhe e fortë sovjetike e tipit të “Radio Jerevanit”: një dëgjues pyet “ A është e vërtetë që Rabinoviqi fitoi një makinë të re në lotari?”, dhe radioja i përgjigjet: “Parimisht po, është e vërtetë, vetëm se nuk ishte një makinë e re por një biçikletë e vjetër, dhe nuk e fitoi por ia kishin vjedhur.”

A nuk qëndron e njëjta gjë dhe për maskulinitetin toksik?

Le të pyesim Radio Jerevanin: “A është me të vërtetë maskuliniteti toksik?” Mund ta qëllojmë përgjigjen: “Parimisht po, është e vërtetë, vetëm se kjo përmbajtje toksike nuk është aspak specifikisht maskuline, për më tepër, është shpesh e vetmja mënyrë e arsyeshme dhe guximtare e të vepruarit.”

Përktheu: Kushtrim Avdimetaj