“Mati fjalët”, përplasje mes deputetes Musliu dhe drejtorit të policisë

“Mati fjalët”, përplasje mes deputetes Musliu dhe drejtorit të policisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Meliu, është përplasur sot me ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, derisa ky i fundit po raportonte para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, njofton Insajderi.

I pyetur për një deklaratë të kryeministrit Avdullah Hoti, Mehmeti tha se nuk mund të komentojë deklaratat e të tjerëve.

“Duhet të pranoj që unë nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë të kryeministrit Hoti, mirëpo unë ju kisha lut që një ushtrues detyre të drejtorit të policisë ta kurseni nga interpretimet e deklaratave që ka bërë kryeministri, ministri apo ndonjë deputet, sepse nuk është as etike e as profesionale për mua që të bëj komente rreth asaj çka thotë një politikan”, deklaroi ai.

Për këtë ka reaguar deputetja Musliu, e cila ka kërkuar që i njëjti të “zgjedhë” fjalët edhe kur flet me deputetët.

“Mos na thuaj që nuk është profesionale, se që 10 vjet jemi në këtë komision. Edhe tash vjen një drejtor, një ushtrues detyre me thënë që nuk është etike dhe profesionale, kjo nuk është profesionale. Keni kujdes, zgjidhni fjalët, nëse ruheni dhe i zgjidhni fjalët për qeverinë, dy herë duhet me i zgjedh fjalët për Kuvendin. Këtë ta keni parasysh, sepse edhe qeveria edhe ju i përgjigjeni këtij komisioni”, u shpreh Musliu./Insajderi.com