May: shkarkimi im nuk do t’i lehtësojë negociatat për Brexit

May: shkarkimi im nuk do t’i lehtësojë negociatat për Brexit

Kryeministrja britanike Theresa May ka paralajmëruar se shkarkimi i saj nuk do t’i kishte lehtësuar negociatat për Brexit, derisa disa deputetë dhe partitë konservative kërcënojnë me votim për mosbesimin ndaj saj, ndërsa ish ministri për Brexit po e akuzon se nuk i ka kundërshtuar “maltretimet” e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Derisa disa konservativë po përpiqen të mbledhin përkrahje për votim për mosbesim, May porositë se nuk është duke menduar për ofrim të dorëheqjes.

“Ndryshimi i liderëve në këtë moment nuk do t’i bëjë negociatat më të lehta, e as ta ndryshojë llogarinë në parlament”, ka theksuar May në një intervistë dhënë televizionit Sky News.

Ajo gjithashtu ka shtuar se java e ardhshme do të jetë kyçe për sukses të bisedimeve për Brexitin dhe ka paralajmëruar se do të takohet me liderët e BE para samitit të jashtëzakonshëm të Këshillit të Evropës më 25 nëntor, transmeton Zëri i Amerikës.

Lajmi se është arritur marrëveshja me BE ka shkaktuar krizë politike në Britani të Madhe duke marrë parasysh  se marrëveshjen e kanë kritikuar ashpër opozita dhe konservativët në pushtet.

Dy ministra dhe disa sekretarë shtetërorë kanë dhënë dorëheqje, ndërsa më shumë se 20 deputetë kanë dorëzuar thirrje zyrtare që të votohet mosbesimi për Theresa May në pozitën e lideres së partisë e me këtë edhe të kryeministres. Për votim për mosbesim duhet të dorëzohen 48 letra të tilla.

Shumica e konservativëve të cilët e përkrahin daljen e Britanisë së Madhe nga BE, dëshirojnë ndarje të qartë me Brukselin dhe pretendojnë se lidhjet e ngushta tregtare, të parapara me marrëveshje, do ta shndërronin vendin në shtet vasal.

Sipas draftit të marrëveshjes, Britania e Madhe duhet ta braktisë BE-në më 29 mars të vitit të ardhshëm, por do të mbetej pjesë e tregut unik deri në fund të vitit 2020.

Vendi do të mbetej në unionin doganorë me BE, në mënyrë që të shmanget vendosja e pikave të kontrollit në kufi me Irlandën./Insajderi.com.