Franjo Tudjman para se të vinte në krye të shtetit kroat, ka qenë në krye të Partizanit të Beogradit dhe ka qenë një nga ata njerëz, që shumë m" />

Mbajini larg tribunave

Mbajini larg tribunave

Franjo Tudjman para se të vinte në krye të shtetit kroat, ka qenë në krye të Partizanit të Beogradit dhe ka qenë një nga ata njerëz, që shumë mirë e ka ditur fuqinë e propagandës dhe manipulimit me masën nëpërmjet sportit.

Një pjesë e përkrahësve të tij të zjarrtë në luftën çlirimtare, kanë qenë pikërisht tifozët e Dinamos dhe klubeve tjera të mëdha kroate.

Një dëshmi e fuqishme se sa i vetëdijshëm ka qenë Tudjman për fuqinë e sportit është riemërimi i klubit nga “Dinamo” në “Croatia Zagreb”, klub që me këtë emër dy herë luajti në Ligën e Kampionëve dhe po shndërrohej në markë evropiane.

Mirëpo, pikërisht tifozët dhe njerëzit e sportit asnjëherë nuk u pajtuan me këtë “keqpërdorim” të sportit për mesazhe politike. Ata fishkëllenin Tudjmanin ku hynte në stadium, organizonin peticione, aksione dhe protesta dhe dikur i vunë flakën llozhës presidenciale në Maksimir.

Klubit iu kthye emri Dinamo vetëm pasi Tudjmani vdiq, që është dëshmia e radhës se politikanët  nuk jetojnë përgjithmonë, edhe pse do prej tyre mendojnë ashtu.

Kuvendi i Kosovës dje nuk kaloi Ligjin për Tatimin e të Ardhurave në Korporata në Kuvend, përkatësisht amendamentin, i cili do t’i jepte rrugë të menjëhershme Ligjit të Sponsorizimit në fushën e Sportit, Kulturës e Rinisë.

Kjo bën që sportistëve të Kosovës të vazhdojnë tu mohohen mundësitë që të kërkojnë sponsorizime dhe para të nevojshme për ta përfaqësuar shtetin e tyre, interesat e të cilit do të duhej ti mbronte Kuvendi.

Të merremi vesh diçka – në Kuvendin e Kosovës, në legjislatura të ndryshme, janë votuar njerëz që janë dënuar për krime të luftës e të pasluftës, njerëz që janë dyshuar për këso krimesh, njerëz që janë dënuar ose janë hetuar për hajni, korrupsion, njerëz që “me letra” janë invalidë ose kanë probleme mendore dhe kategori të ngjashme, por nuk besoj që ka të përjetshëm, ka vetëm të atillë që mund t’ua shohim sherrin për kohë të gjatë.

Rrjedhimisht, nga vendimi i djeshëm nuk jam shumë i zhgënjyer. I zhgënjyer jam nga përpjekjet e pafytyratë përfitojnë nga sukseset e sportistëve, në kohën kur të njëjtëve u bllokojnë çdo mundësi për sukses.

Dhe, meqë për integritetin e politikanëve dhe ndershmërinë e tyre, nuk ia vlen të shkruhet, dua që të bëj apel tek dy shtresa tjera të njerëzve, në të cilët vazhdoj të besoj se ka integritet dhe ndershmëri.

E para shtresë janë krerët e federatave dhe klubeve – mbajini këta njerëz jashtë tribunave. Do të ishte shumë mirë, nëse ka guxim dhe integritet, që derisa të miratohen kërkesat e sportistëve dhe federatave për lehtësira ligjore në sponsorim asnjë federatë ose klub, të mos e ftojë asnjë “përfaqësues të popullit”, në asnjë ndeshje ose ngjarje sportive.

Nuk ka nevojë të marrim masa më ekstreme, vetëm ka nevojë që të mos i ftojmë, që të mos i shohim as në tribuna, as në zhveshtore dhe askund afër sportistëve, përderisa nuk duan ta ndihmojnë sportin.

Shtresa e dytë janë gazetarët, këta të sportit në veçanti – të tentojmë te kërkojmë llogari nga secili deputet dhe secila parti politike në veçanti.

Nëse në kafene po pajtohemi të gjithë që dje iu bë një e padrejtë e madhe e sportit, një herë së paku, ta ngrisim nivelin e diskutimit në angazhim konkret profesional në vendet tona të punës.