Mbaron karantina kombëtare në Angli

Mbaron karantina kombëtare në Angli

Sot, (të mërkurën) ka mbaruar karantina kombëtare në Angli, e cila kishte filluar me pesë nëntor si pjesë e masave të qeverisë të ndërmarra kundër përhapjes së COVID-19, transmeton Insajderi.

Pas karantinës, gjatë ditës së sotme, në rrugët e Londrës u vërejtën më shumë njerëz, gjithashtu, është vërejtur edhe hapja e dyqaneve, bareve, restoranteve dhe kafeneve si dhe një frekuentim i madh i tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Londër, ku do të zbatohen masat e nivelit 2, baret mund të shërbejnë vetëm si restorante dhe pijet alkoolike mund të shiten vetëm së bashku me ushqime.

 

Masa tre nivelëshe

Gjithashtu, Parlamenti britanik dje (të martën) miratoi një vendim tre nivelësh të qeverisë si pjesë e luftës kundër COVID-19.

Sipas vendimit, në nivelin e parë, restorantet dhe baret mund të qëndrojnë të hapura vetëm deri në orën 23:00, ndërsa në sektorët ku ekziston mundësia, puna do të bëhet nga shtëpia.

Në nivelin e dytë, nuk do të lejohen takime me njerëz jo anëtarë të një familjeje në ambiente të mbyllura, takimet jashtë do të jenë të kufizuara në gjashtë persona, baret mund të shërbejnë vetëm si restorante, ndërsa pijet alkoolike mund të shiten vetëm së bashku me ushqime.

Në nivelin e tretë, sallat e mbyllura sportive nuk do të mund të funksionojnë, udhëtimi nuk do të lejohet nëse nuk është i nevojshëm, baret dhe restorantet do të mund të punojnë vetëm me mënyrën e dorëzimit, si dhe do të ndalohet organizimi i aktiviteteve sportive. /Insajderi.com