Mbi 23 milionë euro për zgjedhjet parlamentare në 11 vitet e fundit

Mbi 23 milionë euro për zgjedhjet parlamentare në 11 vitet e fundit

Rreth 23.5 milionë euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës organizimi i pesë cikleve të zgjedhjeve parlamentare në 11 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

Në Kosovë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën në vitin 2010, 2014, 2017, 2019 dhe zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen javën tjetër.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura në vitin 2010, buxhetit të Kosovës, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ) i kanë kushtuar 4.5 milionë euro, ndërkaq për zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 shkurt, qeveria në detyrë ka ndarë 5.5 milionë euro.

Që nga zgjedhjet e vitit 2010, kur kryeministër ishte zgjedhur Hashim Thaçi dhe ka përfunduar mandatin katërvjeçar, asnjë qeveri tjetër nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues, çka si pasojë ka imponuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Mjetet e shpenzuara për zgjedhje të parakohshme rëndojnë buxhetin e Kosovës, i cili kap shifrën në 2.4 miliardë eurove, thonë për REL profesori i Ekonomisë, Musa Limani dhe ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ata vlerësojnë se gjendja ekonomike në vend nuk është e leverdishme për zgjedhje të jashtëzakonshme./Insajderi.com