Mbi 35 mijë kosovarë ilegal të kthyer, asnjërit nuk iu pranua azili

Mbi 35 mijë kosovarë ilegal të kthyer, asnjërit nuk iu pranua azili

Shumë kosovarë që migruan ilegalisht për në vendet e bashkimi Evropian në vitin 2014 dhe 2015, janë kthyer mbi 35 000 persona, përveç një numri të vogël që kanë arritur të mbesin, e të cilët tek tani janë duke u kërkuar azil ose leje qëndrimi të përkohshëm deri në një status të ardhshëm në vendet përkatëse.

Ndryshe migrimi ilegal i kosovarëve, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ne dy vitet e fundit është ndaluar thuajse plotësisht, për shkak se Hungaria i ka mbyllur plotësisht korridoret të cilat shfrytëzoheshin nga emigrantët dhe refugjatet.

Sipas statistikave në vitin 2015 janë riatdhesuar 18 789 kosovarë, në vitin 2016 janë riatdhesuar 13 030 persona. Ndërkaq Janar-Shtator 2017 janë riatdhesuar 4 179 persona. Gjithsejtë nga viti 2015 deri në shtator të këtij viti 2017 janë riatdhesuar 35998 persona,

90 për qind e këtij numri të riatdhesuar janë persona që gjatë vitit 2014 dhe 2015 kishin migruar në vendet e Bashkimit Evropian nëpërmjet rrugëve ilegale.

Në një përgjigje nga MPB, dhënë për Indeksonline, thuhet se që nga fillimi i vitit 2015 është ndalur thuajse plotësisht emigrimi i parregullt i kosovarëve në vendet e ndryshme të BE-se. Kësaj i kanë paraprijë një sërë masash që janë ndërmarrë nga institucionet tona qoftë përmes organizimeve të fushatave të ndryshme, veprimeve policore etj.

“Të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se edhe në vitin 2016 dhe në vitin 2017  kosovarët kërkojnë azil edhe pse në numër shumë më të vogël në krahasim me 2015, mirëpo për sqarimin e opinionit, ju njoftojmë se ata kosovarë që kanë kërkuar azil në vitin 2016, apo këtë vit, nuk janë persona që kanë emigruar apo që e kanë lëshuar Kosovën në 2016 ose 2017, por janë persona që kanë emigruar në vitin 2014 ose 2015 dhe tek tani kanë vendosur të lajmërohen tek autoritetet e vendeve të ndryshme dhe të kërkojnë azil”, thuhet në përgjigje, shkruan Express.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë, zyrën e BE-se, organizata tjera ndërkombëtare të cilat janë mjaft të kënaqura me menaxhimin e migrimit në përgjithësi. Për njoftimin tuaj ne ende jemi duke vazhduar të mbajmë aktivitete informuese me qytetaret në komuna të ndryshme lidhur me pasojat e migrimit të parregullt dhe promovimin e migrimit të rregullt, përkundër faktit që nuk kemi indikacione për ndonjë valë të re të migrimit”, thuhet më tej në përgjigjën e MPB-së.