Mesatarisht një mijë vizitorë në ditë e kanë parë ekspozitën në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd, në të cilën janë ekspozuar artefakte të Kosovës.
Për 46 ditë prej se është hapur “Trashëgimia artistike serbe në Kosovë e Metohi: Identiteti, rëndësia, rrezikimi” atë e kanë vizituar 46 mijë veta, ka njoftuar të martën kjo akademi, raportojnë mediat serbe, shkruan sot “Koha Ditore”.
Siç është shkruar në një njoftim të këtij institucioni që është organizator i ekspozitës, “për shkak të interesimit të madh, ekspozita do të mbahet e hapur deri më 26 nëntor”.
Me këtë ekspozitë, Akademia Serbe e Shkencave synon që “t’ia kujtojë publikut vendës e atij botëror që populli serb jeton në Kosovë e Metohi tash më shumë se një mijë vjet, dhe prej kohës së Stefan Nemanjes e deri më sot, pandërprerë kultivon krijimtarinë e shumanshme artistike”.
Po të martën ka njoftuar se katalogu i kësaj ekspozite është botuar edhe në anglisht, përderisa ka paralajmëruar edhe dy botime.