fbpx

Mbi 62 mijë persona kaluan pikat kufitare me Shqipërinë dhe Malin e Zi për një ditë

Mbi 62 mijë persona kaluan pikat kufitare me Shqipërinë dhe Malin e Zi për një ditë

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në pikë kalimet kufitare të Republikës së Kosovës me Shqipërinë dhe Malin e Zi kanë kaluar mbi 62 mijë persona, të cilët edhe u janë nënshtruar kontrolleve nga Policia e Kosovës.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës ka treguar se ditën e djeshme nga numri i përgjithshëm i kalimeve kufitare më shumë persona kanë hyrë në Kosovë, e një numër më i vogël kanë dalë jashtë shtetit.

Në një përgjigje të policisë për FaktePlus thuhet se janë 54 mijë e 533 persona që kanë hyrë në rajonin kufitar në Perëndim, me Shqipërinë dhe Malin e Zi, kurse janë 7952 persona që kanë dalë jashtë Kosovës nëpër këto pika kufitare.

Numri i madh i hyrjeve kryesisht ka të bëjë me kosovarët që kanë kaluar vikendin në bregdetin shqiptar dhe Mal të Zi.

Sipas policisë, numri i veturave të kontrolluara në hyrje ka qenë 12 mijë e 672, ndërsa në dalje ka pasur 3749 të tilla.

Fluksi i autobusëve gjithashtu ishte i madh gjatë vikendit, ku në 24 orëshin e fundit kanë hyrë 182 autobusë, ndërsa kanë dalë në pikë kalimet kufitare 140 autobusë.

Ndërkaq, mungesa e certifikatave të gjendjes civile posedimi i të cilave është i obligueshëm për fëmijët e vegjël të cilët kalojnë këto pika kufitare, duket se nuk ka paraqitur problem për autoritetet e Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se deri tani nuk është shënuar ndonjë kundërshtim ose kthim nga ana e kufitarëve të këtyre dy shteteve fqinje të cilat zakonisht frekuentohet si pika turistike.

“Deri me tani, nuk është raportuar ndonjë problem gjatë kalimit të qytetarëve në pikat kufitare me shtetet fqinje, por ne jemi në proces të nënshkrimit dhe po shpresojmë që shumë shpejtë do të fillojë furnizimi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Mungesa e certifikatave tash e sa kohë, ka bërë që qendrat e regjistrit të gjendjes civile këto shërbime t’i japin për qytetarët në letër të bardhmë e cila përmban nënshkrimin e zyrtarit të autorizuar dhe vulën.