Mbi 7 mijë pako me vota nga diaspora kanë arritur në Kosovë

Mbi 7 mijë pako me vota nga diaspora kanë arritur në Kosovë

Mbi 7 mijë pako me vota nga diaspora kanë arritur tashmë në Kosovë, prej të cilave mbi 2 mijë janë dërguar me postë të shpejt(DHL) dhe më shumë se 5 mijë të tjera janë dërguar përmes Postës së Kosovës, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi organizata GERMIN.

“GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e arritjes dhe pranimit të pakove me fletëvotime nga jashtë nga KQZ. Sot (9 shkurt 2021) kanë arritur gjithsej 7,612 pako, prej të cilave 2,157 përmes postës së shpejtë “DHL Express” dhe 5,455 nga shërbimet tjera postare përmes Postës së Kosovës (kutia postare 351)”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, përmes Avokatit të Popullit, organizata GERMIN, po synon që të hap një rast në Gjykatën Kushtetuese për parregullsitë në lidhje me votat e diasporës gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Lirim Krasniqi, nga kjo organizatë gjatë një interviste për “Përballje” me kryeredaktorin, Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, kishte njoftuar se janë duke u përgatitur të lansojnë një email të veçantë ku përmes një formulari të gjithë votuesit jashtë vendit do të mund të paraqesin ankesat e tyre në lidhje me procesin e zgjedhjeve./Insajderi.com