Mbi 8 mijë ndërtime pa leje vetëm në brendi të qytetit të Mitrovicës

Mbi 8 mijë ndërtime pa leje vetëm në brendi të qytetit të Mitrovicës

Ndonëse ka kohë që ka kaluar afati për paraqitjen e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në Komunën e Mitrovicës ka pasur pak të interesuar që t’i legalizojnë objektet e tyre të ndërtimit të ngritura pa leje ndërtimore të Komunës.

Vetëm në Mitrovicën e Jugut janë regjistruar mbi 8 mijë ndërtime pa leje, kryesisht në brendi të qytetit të Mitrovicës, por edhe në zonat në periferi, shkruan Zëri.

Përveç ndërtimeve të larta në qytet, të cilat janë ndërtuar pa leje, janë regjistruar edhe objekte të tjera banimi (shtëpi), objekte afariste me veprimtari të ndryshme (objekte hoteliere, turistike dhe ekonomike).

Një pjesë të ndërtimeve pa leje në pronën publike i kanë ngritur shqiptarët e veriut të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar nga banesat dhe nga pronat e tyre në veri.

Organizata joqeveritare “Civil Development Organization” – CDO në prani të zyrtarëve  komunalë të Mitrovicës: Faruk Mujka, nënkryetar, Sami Zeka, drejtor i Urbanizmit dhe Egzon Jashari, drejtor i Kadastrit, si dhe të përfaqësuesve të ndërtuesve, ka përmbyllur projektin “Sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje në Komunën e Mitrovicës së Jugut”.