Komiteti i Emergjencave të Komunës së Vitisë ka vendosur për t’i vetë-izoluar të gjithë banorët e fshatit Stubëll, nga ku vjen 77-vjeçari i cili rezultoi pozitiv me koronavirus të premten.
Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin drejtuesi i Komitetit Emergjent, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka thënë se komuna është duke i marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Momentalisht jam në takim me Komitetin Emergjent, këtu me Komandantin e Policisë, me drejtorin e Shëndetësisë, me të gjithë. Jemi duke mbajtur mbledhjen në Kuvendin Komunal. Ne gjatë gjithë ditës e kemi izoluar ekipen shëndetësore për shkak se kemi pasur dyshime”, ka thënë Haliti për Insajderin.
Ai ka konfirmuar se familjarët e 77-vjeçarit të prekur nga koronavirusit “janë të gjithë nëpër spitale dhe janë futur në karantinë”.
Kryetari i Komunës së Vitisë ka deklaruar se do të vendosen në karantinë të gjithë banorët e Stubllës. Ai ka kërkuar ndihmë të shpejtë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Edhe fshatin Stubëll, tërë fshatin, do ta izolojmë, në kuptimin e vendosjes në karantinë. Jemi duke i marrë të gjitha masat, vetëm po kërkojmë prej nivelit qendror të na ndihmojmë sepse jemi varfër me pajisje dhe me mjete. I lutemi të na ndihmojnë”, ka thënë Haliti.