Mbretëresha Elizabeth II kërkon menaxher të rrjeteve sociale

Mbretëresha Elizabeth II kërkon menaxher të rrjeteve sociale

Për ata që dinë si të kujdesen për faqen perfekte në Instagram dhe shkruajnë postime të goditura, një mundësi e papërsëritshme u ofrohet për t’u bërë pjesë e ekipit mbretëror britanik të komunikimeve.

Në faqen e internetit ku listohen vendet vakante të punës në oborr, po kërkohet edhe një punonjës i komunikimeve digjitale, që do të gjejë mënyra të reja për të ruajtur praninë e Mbretëreshës Elizabeth II në sytë e publikut dhe në skenën botërore.

Roli, që përfshin edhe mbulimin e vizitave shtetërore, kërkimin dhe shkrimin e artikujve, si dhe menaxhimin e platformave digjitale, vjen me një pagë prej rreth 30 mijë paund ose 38 mijë dollarë, në varësi edhe të eksperiencës.

Aplikanti i suksesshëm do të sigurojë edhe një paketë gjithëpërfshirëse avantazhesh, leje vjetore prej 33 ditësh dhe dreka falas. Vendi i punës do të jetë në Pallatin “Buckingham”.

Mbretëresha Elizabeth II, në fakt nuk është më e huaj në mediet sociale. Në mars të këtij viti, ajo publikoi postimin e parë në Instagram gjatë një vizite në Muzeun e Shkencave të Londrës. Familja mbretërore britanike ka ndërkohë miliona ndjekës në llogaritë e saj zyrtare në Instagram, Facebook dhe Twitter./ Insajderi.com