Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar më shumë se një mijë viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar më shumë se një mijë viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Mbretëria e Bashkuar ka raportuar 1.052 vdekje të tjera nga Coronavirusi i ri (COVID-19), shifër më e lartë në pesë ditët e fundit, transmeton Insajderi.

Sipas të dhënave të fundit të qeverisë, në mbarë vendin janë zbuluar 12.364 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 3.972.148, raporton Anadolu Agency (AA).

Rastet e reja me COVID-19 të regjistruara gjatë shtatë ditëve të fundit, përkatësisht nga 3 shkurti deri më 9 shkurt, arritën në 119.525, shifër e cila është 26,6 për qind më pak se periudha e mëparshme shtatë ditore.

Shifrat e fundit, më të ulëta në nëntë javët e fundit, tregojnë se numri i infeksioneve po shënon ulje të ndjeshme, përderisa vaksinimet dhe testimet vazhdojnë të rriten në mënyrë të qëndrueshme.

Në Mbretërinë e Bashkuar deri dje janë administruar 12.646.486 doza të vaksinës COVID-19, ndër të cilat 516.392 persona kanë marrë të dy dozat e nevojshme për t’u imunizuar.

Sot, qeveria britanike njoftoi rregulla të reja për personat që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa shkelësit e rregullave mund të përballen me një dënim me burgim 10-vjeçar dhe një gjobë deri në 10 mijë paundë (rreth 13.500 dollarë).

Mbretëria e Bashkuar është në luftë për të frenuar përhapjen e llojit të koronavirusit të Afrikës së Jugut, virus që është zbuluar në zona të shumta, përfshirë në qytetet e mëdha si në Londër dhe Liverpool.

Ndjesia e urgjencës u rrit më shumë pasi një studim zbuloi se vaksina Oxford-AstraZeneca është më pak se 10 për qind efektive kundër llojit të ri të virusit. /Insajderi.com