Zëdhënësi i Demarkacionit “shpërblehet” me ngritje akademike në UP

Zëdhënësi i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës, Tomor Çela është propozuar që të marrë gradën "Profesor Asistent" në Universitetin e Prishtinës. Propozimi i tij është pranuar nga Komisioni Vlerësues për Zgjedhjen e Personelit Akademik, por është kundërshtuar nga anëtari i komisionit, Shpejtim Bulliqi.

Zëdhënësi i Demarkacionit “shpërblehet” me ngritje akademike në UP

Polemikat ndërmjet profesorëve të gjeografisë së Universitetit të Prishtinës, Shpejtim Bulliqi dhe Tomor Çela nuk kanë përfunduar në çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Të dy profesorët, janë “ballafaquar” në një proces brenda Universitetit të Prishtinës.

Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Edukimit ka propozuar profesor Tomor Çelën që të zgjidhet në thirrjen “Profesor Asistent”, gjë të cilën e ka refuzuar anëtari i Komisionit për Komisioni Vlerësues për Zgjedhjen e Personelit Akademik, Shpejtim Bulliqi.

Pavarësisht refuzimit të Bulliqit, Komisioni Vlerësues për Zgjedhjen e Personelit akademik në UP, më 16 shkurt të këtij viti, ka vendosur që profesori Tomor Çela, i cili është edhe zëdhënës i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës në Demarkacionin me Malin e Zi, të zgjidhet në thirrjen “Profesor Asistent”.

Siç thuhet në njoftimin e Komisionit, Çela është propozuar nga Këshilli Mësimor-Shencor në lëndët: Mësimdhënia dhe të nxënit e Gjeografisë fizike, hulumtimet shkencore në Gjeografi, Gjeotrashëgimia dhe Mjedisi, Teknologjia dhe media në mësimin e Gjeografisë, Aspekti i bashkëveprimit njeri-natyre dhe Praktikë Pedagogjike.

Nga tre anëtarët e Komisionit Vlerësues për Zgjedhjen e Personelit Akademik – Ibrahim Ramadani, Demë Hoti dhe Shpëjtim Bulliqi, vetëm anëtari Shpëjtim Bulliqi ka refuzuar avancimin akdameik të Çelës në Universitetin e Prishtinës.

Të propozuar për këtë titull akademik kanë qenë edhe dy profesorët e tjerë të gjeografisë, Bashkim Kastrati e Sami Behrami, por propozimet e tyre janë hedhur poshtë nga Komisioni.

Në një prononcim për Insajderin, Shpejtim Bulliqi ka treguar arsyet e kundërshtimit të propozimit të Çelës. Ka thënë se profili i Tomor Çelës nuk i përgjigjet lëndëve në të cilat është propozuar.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se lëndët në të cilat është propozuar Çela, kanë të bëjnë me Gjeografinë Fizike, ndërsa Çela ka të përfunduar studimet në fushën e Gjeografisë Shoqërore, raporton Insajderi.

“Gjeografia Fizike është fushë e gjeografisë që nuk e ka kryer Tomor Çela fare, sepse Tomor Çela është Gjeografi Shoqërore. Tomor Çela nuk i plotëson kushtet në këto lëndë. Këtu kanë konkurruar tre kandidatë: Tomor Çela, Bashkim Kastrati dhe Sami Behrami. Tomor Çela është Gjeografi Shoqërore, Bashkim Kastrati është Gjeografi Fizike, ndërsa Sami Behrami Gjeografi Shoqërore”, ka thënë Bulliqi.

Sipas Bulliqit, Çela nuk e ka përvojën e kërkuar të punës në arsim, derisa “kundërkandidati i tij Bashkim Kastrati ka më shumë punime me recension ndërkombëtar”.

“E para: Çela nuk e ka përvojën e punës në arsim, ai i ka vetëm dy vite, por duhet t’i ketë tre vite. Duhet ta ketë Gjeografi Fizike dhe Gjeografi Shoqërore, dhe kundërkandidati i tij ka më shumë punime me recension ndërkombëtar se sa Tomor Çela”, u shpreh Bulliqi.

Ndërkaq, Çela e ka cilësuar veprim politik, refuzimin që Bulliqi i ka bërë atij në propozimin për avancim në titull. Çela ka thënë se dokumentacioni i tij është valid.

“Po është mendim i tij politik [refuzimi i Shpejtim Bulliqit v.j] edhe unë s’dua ta komentoj këtë çështje. Dokumentacioni im që është, është valid, është i qasshëm edhe në të gjitha databazat shkencore. Unë punoj qe katër vite aty, edhe nuk dëshiroj ta komentoj dhe ta polemizoj këtë çështje”, tha Çela për Insajderin.

Zëdhënësi i Komisionit për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës është shprehur i bindur në përgatitjen e tij për të marrë titullin “Profesor Asistent”.

“Unë kam qenë i përgatitur për këtë punë. Edhe forma se si ka ardhë ai në komision ka qenë i lidhur me procesin. Unë kam me e vazhdu punën time profesionale, pavarësisht nuk do të ndalem. Do ta përcjelli rregullin dhe bazën ligjore, do të eci tutje”, është shprehur Çela.

Pasi Komisioni Vlerësues për Zgjedhjen e Personelit Akademik vendosi që t’i japë dritën e gjelbër propozimit që Tomor Çela të marrë titullin “Profesor Asistent”, mbetet që Senati i Universitetit të Prishtinës ta miratoi këtë vendim.

Çela ka qenë pjesë e Komisionit për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, i cili u krijua nga Qeveria e Kosovës më 23 dhjetor 2016.

Më parë, Çela kishte fituar edhe tender nga Qeveria e Kosovës.

Kompania që ai ka krijuar vite më parë, në vitin 2015 u shpërblye me një tender prej afro gjysmë milioni euro nga një agjenci nën Zyrën e kryeministrit Isa Mustafa.  /Insajderi.com