Mbrojtësit e heshtur të luginës së Valbonës

Mbrojtësit e heshtur të luginës së Valbonës

Lugina e Valbonës oshëtin nga katër shpërthime që vijnë nga gryka e Dargobisë.  Janë të njëpasnjëshme dhe përsëriten çdo katër orë. Kur qetësia bie e shtëllungat e tymit shpërndahen majave te Alpeve, buldozerë e kamionë të fuqishëm i qepen shpatit të malit për nga ku rrjedh përroi i Çeremit.

Pikërisht aty, në hyrje të luginës së Valbonës, kompania “Gener 2,” që prej shtatorit të vitit 2016-të ka filluar punën për ndërtimin e  HEC-it të Dragobisë.

“Kompania është në atë fazë punimesh ku duhet të çahet mali për t’u instaluar tubat që do të thithin ujin për të prodhuar energjinë. Punohet ditë e natë e pas protestave duket se puna është përshpejtuar,”përpiqet të të qetësojë Alfred Selimaj pas panikut që përhap në luginë oshëtima e llahtarshme e shpërthimit të tritolit.

Qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e 14 hidrocentraleve mbi lumin e Valbonës dhe tributarët e tij, me procedura të cilat sipas aktivistëve mbartin shkelje të panumërta ligjore. Banorët e zonës i kundërshtojnë projektet energjetike si të dëmshme për natyrën dhe turizmin, ndërsa kanë gjetur mbështetje nga organizatat ndërkombëtare mjedisore si dhe artistë të njohur si Eda Zari dhe Elina Duni.

Kompania koncesionare punon 24 orë edhe  këto ditë që Valbona është e mbipopulluar nga turistët vendas dhe të huaj. Në fundjavë, në rast se nuk  ke prenotuar e ke thuajse të pamundur për të gjetur vend për të fjetur në Valbonë.

‘Rilindje’ e turizmit

Alfred Selimaj është ndër të parët vendas që pas emigrimit është rikthyer në Valbonë për të investuar kursimet e jetës së tij.  Me të mbaruar shkollën e mesme emigroi në Angli e gjithë sa fitoi për 6 vite pune,  nisi të ndërtojë në Valbonë në vitin 2004 të parën shtëpi pritjeje për turistët.

E pagëzoi “Rilindje”, si një sfidë për të rikthyer jetën në luginën e mbetur të shkretë. Aso kohe numëroheshin vetëm 40 shtëpi në të gjithë zonën, ndërsa  mungesa e një rrugë e shndërronte luginën në një tokë të izoluar dhe për vendasit e rritur aty.

Përgjatë viteve, si Alfredi janë të shumtë vendasit e rikthyer. Kanë ndërtuar ku të mundin, e përgjatë luginës numërohen mbi 20 njësi akomodimi që ofrojnë jo vetëm kushte komode pushimi por dhe gastronomi të pasur.

Alfredi tregon se në kulmin e sezonit mund të numërohen dhe 2 mijë vizitorë në ditë në Valbonë.

“Të merresh me zhvillimin e turizmit në Valbonë është sakrificë pasi shtetin nuk e ke ndihmë por kryen rolin e gjobëvënësit dhe është i pari që punon për shkatërrimin e zonës,” tregon Alfredi, i cilit vetëm taksa vjetore që paguan për të mbajtur në këmbë biznesin e tij i përllogarit 10 milionë lekë të vjetra.

Në shkëmbim të tyre Valbona duhet të ishte më e pastër, me ndriçim dhe shërbim për grumbullimin e plehrave. Ndryshe energjia elektrike ndërpritet disa herë ndërsa gjatë natës e tërë zona është në terr.

Megjithëse në 10-vjeçarin e fundit Valbona është shndërruar në një destinacion turistik dhe vendasit kanë aspirata të mëdha për zhvillimin e turizmit, edhe pse mungesa e një plani urbanistik është një tjetër problematikë që po kërcënon luginën.

“Njerëzit kanë ndërtuar ku të mundin sepse nuk ka një plan urbanistik për Valbonën. Askush nuk të jep një përgjigje për këtë ndërkohë që qeveria ka gjetur kohë dhe mundësi të miratojë ndërtimin e HEC-eve, të cilët janë  shkatërrimi i krejt kësaj zonë,” të thotë  Dine Selimaj, mjek që ka braktisur kryeqytetin për të jetuar me mikpritjen në Valbonë.

Doktor Dine është një ndër 27 banorët nga Rrogami, Valbona, Dragobia dhe Çeremi që së bashku me OJF-në Toka dhe lidhjen “Të Shpëtojmë Alpet Shqiptare”  paraqitën në Gjykatën Administrative të Tiranës kërkesë-padinë për kundërshtimin e projektit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Çerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy Sh.pk, e zotëruar nga shoqëria Gener 2 Sh.p.k.

Megjithëse doktori ka shpresa të pakta për fitimin e kauzës së tyre, është i bindur se zhvillimi i turizmit është e vetmja mënyrë jetese për 250 banorët që jetojnë në Valbonë,  ndërsa ndërtimi qoftë edhe i dy HEC-eve përbën ‘shkatërrim e krejt zonës.’

Frikë nga shteti

Pak banorë të Valbonës flasin në mënyrë të drejtëpërdrejte si doktor Dine mbi punën e qeverisë në luginë.  Shumica janë tërhequr në punë të tyre dhe i përkushtohen me mish e shpirt vizitorëve që fundjavave janë të shumtë. Përballjen me shtetin dhe kompanitë që po ndërtojnë hidrocentrale e quajnë një betejë të vështirë.

“Ato janë të fuqishëm dhe nuk mund të përballemi me to, veç kësaj ne nuk kemi shtetin në krah. Sapo kanë mësuar që kam firmosur për padinë më vijnë çdo ditë kontrolle, që nga ai sanitar e deri tek inspektorati i punës. Unë i kam gjërat në rregull por e gjitha kjo të lodh,”të thotë në kushtet e anonimatit një prej pronarëve të bujtinave në Valbonë.

Ndërsa Kolë Gjoni,  pronar i një prej bujtinave më të njohura të zonës, dhe një ndër kundërshtarët e parë të projekteve energjetike shprehet dyshues mbi atë çfarë rezistenca e tyre për të mbrojtur luginën ka arritur.

“Rri e mendoj ndonjëherë dhe frikësohem me veten sa i marrë kam qenë. I vetëm kundër të gjithëve, kundër shtetit. Punoj gjithë ditën, me gruan e fëmijët për të mbajtur  traditën gjallë e për të ruajtur natyrën e egër sepse për këtë vijnë turistët. Ndërkohë ju e shihni si është katandisur Valbona, HEC-e, ndërtime, ndaj nuk dal më në protesta,” thotë Kola.

Frika nga pushteti e nga  kompania ndërtuese ka përfshirë dhe aktivisten amerikane Catherine Bohne, e cila lajmëroi mediat, ambasadat e huaja në Shqipëri dhe organizatat mjedisore në vend dhe ato ndërkombëtare për fillimin e punimeve për HEC-ve në rajonin e Dragobisë dhe Maskollatës.

 

“Çështja tashmë është në gjykatë ku ne shpresojmë një gjykim të drejtë dhe të ndershëm.  Për fat të mirë ia dolëm ta regjistrojmë kërkesë padinë, por ekziston dhe rreziku i penalitetit pasi dëmshpërblimi i kërkuar nga kompania për pezullimin e punimeve është mija euro në rast se ne humbin çështjen,”tregon Catherine.

Më datë 16 maj 2017, banorët e Valbonës të përfaqësuar nga zyra e avokatisë “Kalo & Associates”,  kërkuan nga Gjykata Administrative e Tiranës  konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së koncesionit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Çerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy Sh.p.k, e zotëruar nga shoqëria Gener 2 SHPK.

Catherine Bohne thotë se lejet ndërtimore  të HEC-eve janë dhënë kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin për Zonat e Mbrojtura.

“Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Këshilli i Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë, kanë miratuar një projekt ndërtimor madhor në një zonë të mbrojtur mjedisore dhe turistike, konkretisht në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës,” thotë Bohne.

“Gjithashtu, institucionet e mësipërme e kanë miratuar këtë projekt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një sërë kërkesash procedurale, veçanërisht ato të konsultimit paraprak me publikun,” shton ajo.

Seanca e parë e gjykimit të kësaj çështje u zhvillua më 22 maj dhe përfaqësues  të zyrës ligjore i thanë BIRN se është  kërkuar pezullimi i punimeve nga shoqëria koncesioneve.

“U kërkua marrja e masës së sigurimit duke pezulluar efektet e miratimeve shtetërore, konkretisht të punimet aktuale të ndërtimit që po kryen në Luginën e Valbonës. U zhvillua seanca e parë përgatitore ku gjykata trajtoi disa aspekte procedurale si dhe të njoftimit dhe legjitimimit të palëve,” u shpreh për BIRN zyra ligjore që ka marrë përsipër mbrojtjen e çështjes në Gjykatë.

“Seanca e radhës ku pritet të trajtohet dhe kërkesa për sigurimin e padisë, pezullimin e punimeve, është caktuar ditën e hënë, datë 29 maj,” shtoi ajo.(Reporter.al)