Mbyllja e lojërave të fatit në Drenas, dhe tentativa për t’i hapur sërish ilegalisht

Mbyllja e lojërave të fatit në Drenas, dhe tentativa për t’i hapur sërish ilegalisht

Të premten mbrëma në Drenas, u mbyllën 26 lokale të lojrëva të fatit.

Një gjë të tillë e kishte bërë të ditur vetë komuna me një komunikatë për media.

“Aksioni është zhvilluar në Drenas dhe Komoran, Tërstenik, Arllat, dhe në fshatra të tjera, pas verifikimit, mungonin licencat e punës por edhe zhvillohej në vendet ku ndalohet me Ligj, i cili përcakton ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve të lojërave të fatit në afërsi të shkollave.  Mungesa e licencave dhe distanca me shkollën, ishte shkaku i ndalesës sepse nuk lejohet zhvillimi i kësaj veprimtarie pa licencë dhe kur nuk është në përputhje me distancën e duhur, largësinë me institucionet arsimore”, thuhej në komunikatë.

Por përkundër mbylljes, shumica e lokaleve të lojërave të fatit janë hapur përsëri.

Një gjë e tillë është tentuar të bëhet në mënyrë ilegale, por që Inspektorati në komunën e Drenasit ka ndërmarrë masa.

Drejtoresha e Inspeksionit në Drenas, Bukurije Berisha ka thënë për Gazetën Insajderi se në disa raste, objektet janë hapur duke e dëmtuar shiritin.

“Shumë prej tyre kanë tentuar të happen gjatë vikendit dhe i kemi mbyllur, edhe në raport të Policisë kemi hapur raste kush e ka dëmtuar shiritin dhe ato që janë mbyllur nga ATK-ja nuk janë funksionale”, deklaroi Berisha.

Këto lokale që u mbyllën më vendim të ATK-së, Drejtoresha e Inspeksionit tha që komuna nuk ka të drejtë t’i hapë.

“Jo, ato që i ka mbyllur ATK-ja ne nuk kemi drejt me i hapë. Kemi marrë masa dhe i kemi mbyllur prapë ato që kanë tentuar të hapen”, përfundoi Bukurije Berisha.

Kohëve të fundit, ATK-ja në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë masa për mbylljen e këtyre lojërave të fatit.

Pavarësisht kësaj, shumë prej tyre vazhdojnë ta ushtrojnë këtë veprimtari në mënyrë ilegale. /Insajderi.com