Mbyllja e xhamive ka shkaktuar reagime të ashpra në Austri

Mbyllja e xhamive ka shkaktuar reagime të ashpra në Austri

Pasi që autoritetet austriake morën vendim për mbylljen e 7 xhamive dhe dëbimin e imamëve, përfaqësues të Bashkësisë Islame në vend, krerët e shumë organizatave joqeveritare dhe profesorët universitarë, u shprehën se një procedurë e tillë është jashtëzakonisht e gabuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Bashkësisë Islame në Austri, Ibrahim Olgun për AA ka thënë se me një vendim të tillë nuk mund të zgjidhen problemet dhe keqkuptimet.

“Nëse ka ndonjë problem, duhet trajtuar me rregullore të ndryshme. Mbyllja e xhamive nuk do ta zgjidhë problemin”, tha Olgun.

Ai shtoi se individët duhet të nxirren para drejtësisë nëse janë përgjegjës për ndonjë vepër penale, në vend se të dënohet i gjithë komuniteti fetar.

Farid Hafez, profesor i shkencave politike dhe sociologjisë në Universitetin e Salzburgut, potencoi se vendimi i qeverisë austriake kundër muslimanëve është marrë në mënyrë për të kënaqur elektoratin.

Ai theksoi se në Austri, është rritur presioni mbi muslimanët nën pretekstin se qeveria po lufton “islamin politik”.

Muhammed Al Hotani, zëdhënës i Komunitetit Islam arab të Austrisë, tha se ka mësuar nga mediat se midis xhamive të mbyllura 6 u përkisnin atyre.

Ai shtoi se muajin e kaluar nga Zyra për Çështje Fetare të Austrisë kanë marrë një letër ku thuhet se institucionet e tyre nuk veprojnë sipas rregullave të caktuara të ligjit të ri për Islamin, si dhe disa klerikë nuk kanë mendim pozitiv ndaj Austrisë, duke shtuar se akuzat e tilla janë jashtëzakonisht të pabaza.

Më tej shtoi se zyrtarët fetarë në xhami që veprojnë brenda komunitetit të tyre islam kanë mbajtur rregullisht ligjërata të shumta rreth terrorizmit dhe organizatës terroriste DEASH.

Po ashtu tha se qeveria austriake po përpiqet të ushtrojë presion ndaj muslimanëve me anë të deklaratave populiste dhe argumenteve të pabaza.

“Myslimanët në Austri nuk kanë të njëjtin trajtim si komunitetet e tjera fetare. Ne, si komunitetet tjera dhe qytetarët, duam të njëjtat rregulla për të gjithë dhe duam të jetojmë me nder në këtë vend dhe të menaxhojmë me institucionet tona”, ka thënë Al Hotani.

Kryeministri austriak Sebastian Kurz të premten deklaroi se vendi i tij, në kuadër të “luftës kundër islamit politik”, ka marrë vendim për mbylljen e 7 xhamive dhe dëbimin e disa imamëve për shkak të financimit nga jashtë.