Më 30 mars mbahet konferenca e tretë për ecurinë e rastit kundër Gucatit e Haradinajt

Më 30 mars mbahet konferenca e tretë për ecurinë e rastit kundër Gucatit e Haradinajt

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se konferenca e tretë për ecurinë e çështjes kundër Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt do të mbahet më 30 mars me fillim në ora 15:00.

Gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe po ashtu nga mbrojtja, që nëse duan, të bëjnë parashtresa me shkrim deri më 26 mars.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetari Haradinaj, ishin arrestuar në shtator të vitit të kaluar. Ata akuzohen për pengim të drejtësisë.

Ndërsa, më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës kishte konfirmuar aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Ata janë akuzuar për frikësim të dëshmitarëve të Gjykatës, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./Insajderi.com