Më 7 dhe 8 shtator, takimi i radhës në tavolinën e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë

Më 7 dhe 8 shtator, takimi i radhës në tavolinën e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë

7 dhe 8 shtatori pritet t’i rikthejë sërish në një tavolinë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëëdhënieve, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, transmeton Insajderi.com

Agjenda e bisedimeve nuk është caktuar ende, teksa takimi pritet të jetë në nivel të shefave të ekipeve negociuese, raporton REL.

Delegacionin e Kosovës do ta kryesojë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka biseduar përmes telefonit me të dy kryenegociatorët pikërisht për të përgatitur takimin e tyre të radhës.

“Pata diskutime përmbajtjesore, të ndara, me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me drejtorin e Zyrës së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, rreth përgatitjeve për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Takimi i ekipeve të Kosovës dhe Serbisë pritet të shërbejë edhe për të përgatitur një takim në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe ky takim pritet të zhvillohet gjatë muajt shtator, por data për të nuk është caktuar ende. /Insajderi.com