Më 7 korrik mbahet seanca rregullt e Kuvendit

Më 7 korrik mbahet seanca rregullt e Kuvendit

Më 7 korrik, e mërkurë – Kuvendi i Kosovës do ta mbajë seancën e rregullt.

Kështu është vendosur në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit që është mbajtur të enjten.

Në atë seancë do të ketë debat parlamentar për marrëveshjen e Uashingtonit, kështu ka thënë Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Po ashtu në rend dite do të jetë edhe rezoluta për Gjenocidin e Srebrenicës, raporton Insajderi.

Më pas, do të vijojnë punimet për shqyrtimin e Raportit Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020; shqyrtimin e Raportit Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020, dhe shqyrtimin e Raportit të punës së Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020.

Kryesia vendosi edhe për shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Gjithashtu, Kryesia ka marrë vendim që të ketë në rend dite edhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, si dhe zgjedhjen e një anëtari të Autoritetit Rregullativ të Ujit.

Kryesia, po ashtu ndër tjera vendosi që të formojë një grup punues për përgatitjet në lidhje me shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. /Insajderi.com