Me anëtarë të korruptuar dhe 1-shat e Rafet Ramës, Kadri Veseli nis luftën ndaj korrupsionit

Sundimi i ligjit dhe largimi nga pozitat shtetërore i njerëzve që kanë probleme me ligjin, është një kartë me të cilën ka luajtur rëndom Kadri Veseli, në tentim për t’u distancuar nga njerëzit problematik të PDK-së. Pavarësisht premtimeve, Veseli nuk është bërë pengesë për karrierën e këtyre njerëzve në partinë të cilën ai e udhëheq.

Me anëtarë të korruptuar dhe 1-shat e Rafet Ramës, Kadri Veseli nis luftën ndaj korrupsionit

Pas rizgjedhjes kryetar i PDK-së, pa u kundërshtuar nga askush brenda partisë e pa kundërkandidat, Kadri Veseli i deklaroi hapur “luftë” korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këtë e bëri gjatë Konventës festive të Partisë Demokratike të Kosovës, ku në një fjalim të gjatë gati një orë, theksoi nevojën për “çlirimin e Kosovës nga korrupsioni”.

Sundimi i ligjit dhe largimi nga pozitat shtetërore i njerëzve që kanë probleme me ligjin, është një kartë me të cilën ka luajtur rëndom Kadri Veseli, në tentim për t’u distancuar nga problemet e njerëzve që në parti i kishin mbetur nga koha kur PDK-ja udhëhiqej prej Hashim Thaçit.

Mirëpo, Veseli ka shfaqur qëndrime të njëjta në raport me këta njerëz, sikurse kishte bërë dikur edhe Hashim Thaçi. Ish-kreu i SHIK-ut po vazhdon t’i mbajë në parti njerëzit që kanë shkaktuar skandale e kanë probleme me drejtësinë.

Me mbajtjen e konventës së partisë të dielën, PDK ka zgjedhur edhe 151 anëtarët e Këshillit Drejtues. Në mesin e këtyre emrave ndodhen edhe Adem Grabovci, Sami Lushtaku, Bajrush Xhemajli, Qemajl Mustafa e Sokol Bashota.

Të gjithë këta janë përfshirë në skandale në të kaluarën. Madje, disa prej tyre janë dënuar nga gjykatat.

Adem Grabovci, i cili prej tri vitesh ndodhej nën hije shkaku i skandalit të përgjimeve “Dosja e Shefave”, është rikthyer të marrë pozitë brenda PDK-së. Me 323 vota, është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

Fuqia e tij brenda PDK-së deri në vitin 2016 ishte e madhe. Këtë pushtet e përdorte për të punësuar në pozita shtetërore njerëz të afërm të tij. Kjo u dëshmua në serinë e përgjimeve telefonike “Dosja e Shefave”, të publikuar nga Insajderi në verën e vitit 2016.

Sipas përgjimeve, të cilat përfshinin periudhën dy mujore nga nëntori deri në dhjetor të vitit 2011, Grabovci punësonte qindra njerëz, zgjedhte dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Ai punësonte njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedhte prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit.

Për të gjitha këto veprime të Grabovcit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij dhe dhjetë të tjerëve – shumica prej tyre kolegë të partisë së tij – në vitin 2016. Rasti është ende në gjykim.

Anëtarë i Këshillit Drejtues të PDK-së është zgjedhur edhe Sami Lushtaku, ish-kryetari i Skenderajt, i cili përveç tjerash njihet për skandalet dhe proceset gjyqësore nëpër të cilat ka kaluar.

Sami Lushtaku, njëjtë sikurse dikur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ishte protagonist i skandalit të përgjimeve. Në serinë e katërmbëdhjetë të “Dosjes së Shefave”, dëshmohet tentimi i Lushtakut për t’i bërë një vend të mirë në institucionet shtetërore paraardhësit të tij, Ramadan Gashit.

Lushtaku deri para disa muajsh u përball me drejtësinë në një proces të gjatë gjyqësor nën dyshimet për korrupsion, por në fund doli i pafajshëm.

Një skandal tjetër ku përmendej emri i Lushtakut ishte kërcënimi i kreut të gjykatës së tenderëve, Blerim Dinës, nga dy njerëz – njëri prej tyre Shaban Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut.

Pasi ishte kërcënuar në banesën e tij nga këta dy persona, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit i kishte rrëfyer rastin në një intervistë me Insajderin. Kishte thënë se Shaban Lushtaku dhe Naim Sallahu, dy njerëzit që e kishin kërcënuar, ia kishin përmendur Sami Lushtakun.

“Ata dojshin me zor me më qu me pi kafe me Sami Lushtakun”, deklaronte Dina.

Të dy të dyshuarit ishin gjykuar dhe ishin shpallur të pafajshëm, ndërkaq Sami Lushtaku nuk kishte qenë pjesë e këtij procesi.

Pjesë e strukturave të PDK-së vazhdon të jetë Elmi Reçica, ish-anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës. Njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Kadri Veselit.

Një raport i shërbimeve mike të Kosovës pjesë e NATO-së, e ndërlidhnin atë me tregun e drogës në Kosovë.

Ky raport, i publikuar kohë më parë nga “Koha Ditore,” e akuzonte SHIK-un për kontroll të tregut të drogës në Kosovë. Këto raporte në veçanti akuzojnë deputetin e PDK-së, Elmi Reçica.

NATO-ja ia kishte bërë një portret të gjerë bazuar në vëzhgim dhe përcjellje të gjatë Elmi Reçicës. Atë e cilësonte si njeri shumë të fuqishëm që kontrollon tregun e drogës.

Lista e njerëzve të skandalizuar, të zgjedhur si anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së, përmban brenda edhe Bajrush Xhemailin, ish-kryetarin e Ferizajt, i cili ishte dënuar me dy vjet burgim për shkaktim të një aksidenti.

Ai ishte gjetur fajtor për thyerje të rregullave të komunikacionit që patën si pasojë vdekjen e 21-vjeçarit Labinot Rrustemi nga fshati Banullë e Lipjanit në vitin 2009.

Sipas gjetjeve të gjykatës, shkas i ndodhjes së aksidentit kanë qenë tejkalimi i veturës kombi nga Xhemaili duke rrezikuar komunikacionin.

Ndonëse është i akuzuar për korrupsion, Qemajl Mustafa po vazhdon ringjitjen e shkallëve brenda strukturave të PDK-së pa u penguar nga kryetari Kadri Veseli. Pengesë nuk i ka as proceset gjyqësore me të cilat ballafaqohet.

Ai po përballet me gjykim në Gjykatën Themelore të Pejës lidhur me akuzat për korrupsion dhe ndikim tek zyrtarët e prokurimit në kohën sa ishte kryetar i Gjilanit.

Në aktakuzën kundër Qemajl Mustafës, janë të përfshirë edhe pronarë biznesesh.

Prokuroria i akuzon pronarët e këtyre bizneseve të cilët kishin aplikuar për tenderë të ndryshëm në Komunën e Gjilanit, se kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa, se në procesin e fitimit të tenderëve dhe kishin pas kontakte me të akuzuarin Qemajl Mustafa për të ndikuar në procedurat e prokurimit.

Në parti është rikthyer sërish edhe Ramë Buja. Ai është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Lipjan. Ka marrë qindra vota.

As Bujën nuk e ka penguar Kadri Veseli, i cili në të njëjtën ditë kur u zyrtarizua rikthimi i ish-ministrit të Arsimit në parti, premtoi “çlirimin e Kosovës nga korrupsioni”.

Por, Buja dëshmon të kundërtën e asaj që premton kreu i PDK-së. Buja, nuk njihet për luftë kundër korrupsionit; njihet për telashet dyshimet për nepotizëm.

Në skandalin e përgjimeve që publikoi Insajderi u dëshmua se si Ramë Buja, në kohën kur shërbente si ministër i Arsimit, ndante pozita publike dhe shtetërore për njerëz të afërm të tij.

Në serinë e pestë të “Dosjes së Shefave” u shpërfaq një përplasje me fyerje në mes të dy krerëve të lartë të PDK-së, Adem Grabovcit dhe Ramë Bujës. Kjo kishte ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre për një pozitë shtetërore.

Buja e kishte ndarë pozitën për Fatmir Arifin të cilin e kishte sjell nga Amerika, derisa Grabovci donte që në këtë pozitë të sistemohej, Ramadan Gashi, ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.

Dita javë pas publikimit të këtij skandali, Buja kishte dhënë dorëheqje nga PDK-ja, për t’u rikthyer zyrtarisht të dielën.

Pjesë e strukturave të PDK-së tash e tutje do të jetë edhe Ramë Vataj, një ish-rektor i dyshuar për shkelje të ligjit e për nepotizëm.

Siç kishte raportuar Insajderi më 2017, si rektor i Universitetit ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, Ramë Vataj është dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të mos respektimit të procedurave për punësimin dhe angazhimin e personelit akademik.

Bashkë me të ishte dënuar edhe vetë universiteti të cilin e drejtonte me 5300 euro si subjekt juridik.

Në një hulumtim të Insajderit, të realizuar po atë vit, dëshmohet se si Ramë Vataj planifikonte ta emëronte kundërligjshëm një mik të tij, të cilit i referohej si “kushë”.

Edhe veprimet e një figurë shumë të lartë brenda PDK-së, bien në kundërshtim me premtimin e Kadri Veselit për “çlirim të Kosovës nga korrupsioni”.

Bëhet fjalë për zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, të cilit i është rikujtuar një skandal që daton prej më shumë se pesë vitesh. E gjithë kjo pas arrestimit të kunatit të tij, Ymer Shahinit, i cili u arrestua javën e kaluar në bazë të një urdhërarresti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2012, Hoxhaj dyshohet se ndikoi në dhënien e një kontrate milionëshe për kunatin e tij, Ymer Shahinin, vëllain e Remzie Shahini-Hoxhës, bashkëshortes së zv/kryeministrit kosovar.

Dyshohet se Hoxhaj ndikoi në dhënien e tenderit për “ndërtimin e sistemit të informimit shëndetësor për blerjen e harduerit”. Kontrata ishte nënshkruarnga një kompani e quajtur “Piritpek”, e cila përfaqësohej nga Ymer Shahini.

Por, muaj më parë, Insajderi raportoi edhe për një kontratë të dyshimtë që zëvendëkryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emër të Grupit Punues për Hartimin e Draft-Platformës për Dialog, kishte nënshkruar me Marc Weller, ekspertin e së Drejtës Ndërkombëtare.

Lidhjet e Hoxhajt me Weller janë të dyshimta, kishte shkruar Insajderi. Ai, më parë i kishte dhënë një kontratë edhe Nora Visoka-Weller, bashkëshortes së Marc Weller.

Ndërkaq, krejt në fund, në listën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Drejtues të PDK-së është edhe Rafet Rama.

Ish-deputeti i PDK-së, në kohën kur kishte kandiduar për president të Kosovës në vitin 2016, ishte bërë temë diskutimi për të kaluarën e tij.

Siç kishte raportuar Insajderi më 2016, Rafet Rama, gjatë kohës sa kishte qenë nxënës në shkollën e mesme “Ramiz Sadiku” në Skenderaj, kishte pasur një numër të madh të njëshave.

Ndërkaq, në kohën kur kishte shërbyer si deputet i PDK-së vazhdonte të mos e respektonte ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit që nga mandatimi i tij, më 7 korrik të vitit 2014.  Ligji ndalonte deputetët që të mbajnë post të këshilltarit në kompani private.

Përkundër ndalesës, deputeti Rama vazhdonte ta mbante këtë post në kompaninë “Capital”, një institucion financiar jo-bankar.

Rafet Rama shkel ligjin për deputetët, vazhdon afërsinë me “Capital”

Ndonëse Kadri Veseli premtoi “çlirimin” e Kosovës nga korrupsioni, lista e njerëzve të PDK-së në Këshillin Drejtues të kësaj partie nuk është premtuese. /Insajderi.com