fbpx

Me guxu me shkru

Sipas Edmund Burke, krejt çka duhet për të triumfuar e keqja, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Tani më shumë se kurrë na nevojiten “insajder”, shërbyes publik të ndershëm, të cilët vendosin të bëjnë ndryshimin në këtë vend, duke mos ua ruajtur të palarat eprorëve të tyre të korruptuar e të zhytur në krim.

“Qysh po guxon me shkru qashtu?”, është një ndër pyetjet që ma parashtron ndokush nganjëherë, edhe pse puna dhe paraqitjet e mia janë goxha “të lehta” dhe kanë të bëjnë kryesisht me politika publike. “A po t’kërcënon kush?”, është pyetje tjetër. Për punën time të deritashme, nuk jam kërcënuar asnjëherë. Ndoshta për shkak se nuk ja kam këputur durimin askujt. Për këtë, duhet të përpiqem më shumë.

Por janë shumë kolegë gazetarë e gazetare të cilët kërcënimin e shantazhin e kanë pjesë të përditshme të punës. Viti i ri filloi me një sulm primitiv të disa njerëzve të politikës dhe ndërmarrjeve publike ndaj një gazetari në Mitrovicë. Viti i kaluar u mbyll me 27 kërcënime serioze ndaj gazetarëve kosovarë. Numër i njëjtë i kërcënimeve ishte edhe më 2014.

Përderisa në vitet e ’90 gazetarët kërcënoheshin nga një regjim shtypës, në 15 vitet e fundit gazetarët kërcënohen nga politikanë e biznese të korruptuara, grupe kriminale dhe grupe religjioze fanatike. E presioni i fshehur në forma të ndryshme prek më shumë se ata 27 gazetarë që në mesatare kërcënohen haptas për çdo vit. Ata që nuk kërcënohen me vrasje apo me rrahje, kërcënohen indirekt përmes presioneve familjare, kërcënimeve gjyqësore e forma tjera të shantazhit.

Se Kosova është vend i rrezikshëm për të shkruar, e dëshmon edhe çmimi për kurajo qytetare që Departamenti Amerikan i Shtetit i dha një vit më parë një gazetareje kosovare. Çmimi vlerëson për kurajo në ushtrimin e një veprimtarie të ligjshme, në një vend kur grupe të ndryshme janë mbi ligjin. E krahas Kosovës, me mirënjohje për guxim qytetar u vlerësuan edhe aktivistet nga Siria, Afganistani, Bangladeshi, Burma e Pakistani.

Pas këtij çmimi të merituar, nuk ishin të pakta edhe urimet nga politikanët në pozita të larta publike. Disa prej tyre madje u shprehën se ky çmim na bën krenarë si Kosovë. Vetë përgjegjësit e pasigurisë dhe rrezikut në këtë vend, përgjegjës për të na ofru ambient më të sigurt, ndiheshin krenar për një çmim i cili e klasifikon Kosovën si ambient të pasigurt për të shkruar e shprehur lirshëm. Kjo ma kujtoi një akt naiv të ish-Kryeministrit Agim Çeku, i cili protestës së qytetarëve për më shumë rend dhe ligj, protestë e iniciuar pas vrasjes së një polici, i u përgjigj duke i prirë protestës. Nëse krerët e shtetit janë krenarë për një çmim që vendin e cilëson si vend të pasigurt dhe i prijnë protestave që kërkojnë rend dhe ligj, atëherë kush po sundon me këtë vend?

Në një vend i cili po vlerësohet si gjysmë-autoritar nga Freedom House, me liri të kufizuara ekonomike nga Fondacioni Heritage, liri të kufizuar të shprehjes nga Indeksi i Qëndrueshmërisë së Mediave, e nivel të lartë korrupsioni sipas Transparency International, guximi i gazetarëve për të shkruar për problemet e mëdha të korrupsionit e keqqeverisjes është jetik në nxjerrjen e këtij vendi nga këto ranglista negative të organizatave kredibile ndërkombëtare.

Me dhjetëra raste kundër korrupsion në gjykata janë ngritur jo për shkak të punës së prokurorëve, por për shkak të punës së gazetarëve e organizatave jo qeveritare. Ky vend është kaq i korruptuar jo për faktin se një grup i zyrtarëve publik janë të korruptuar, por për faktin se 99% e zyrtarëve tjerë publik heshtin dhe i mbrojnë të korruptuarit e ata që keqqeverisin në forma të ndryshme.

Sipas Edmund Burke, krejt çka duhet për të triumfuar e keqja, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Tani më shumë se kurrë na nevojiten “insajder”, shërbyes publik të ndershëm, të cilët vendosin të bëjnë ndryshimin në këtë vend, duke mos ua ruajtur të palarat eprorëve të tyre të korruptuar e të zhytur në krim.