Akuzave të kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit se partia e tij u tradhtua nga PSD-ja e Shpend Ahmetit i është kundërpërgjigjur Dardan Sejdiu.
Sejdiu në intervistë për Insajderin ka thënë se një fjalor i tillë nga Pacolli është i ndershëm.
“Nuk po më dukët as e ndershme as e sinqertë në këtë nivel të diskutohet, përsëri njëfarë fetishi dashurie ‘më tradhtuan’ – shiheni çfarë fjalori”, ka thënë ai.
Sipas tij PSD ka qenë e interesuar të sjell qartësi se kush po pozicionohet ku dhe për çka. Teksa ka shtuar se Behgjet Pacollit i është dukur më interesant të dalë nëpër portale.
“Të tjerët siç duket janë më të interesuar me qëndru në ballinat e portalet, u takuar ky me këtë – i tha ky kështu – sikurse serialet latino-amerikane, turke. E unë e PSD-ja e AAK-ja nuk jemi të interesuar për dramë por për veprim”, ka thënë ish-deputeti i PSD-së për Insajderin.
Kur është pyetur se a kanë pasur takim fillimisht me AKR-në para AAK-së, Sejdiu ka thënë se kanë pasur diskutim me të gjitha partitë.
Ai u ka bërë thirrje edhe AKR-së por edhe Nismës që t’i bashkohen koalicionit PSD-AAK.
“Ne jemi të interesuar që AKR-ja dhe Nisma të jenë pjesë e koalicionit kemi pasur diskutime me ata. Ata kanë vendosur me u bë bashkë, Unë besoj se është mirë të bëhemi të gjithë bashkë dhe përfundimisht ta vendosim PDK-në në opozitë”, ka deklaruar ai.