“Më vjen me ulëritë nga ky sistem banal” – drejtori i Ansamblit “Shota” deklarohet i pafajshëm

“Më vjen me ulëritë nga ky sistem banal” – drejtori i Ansamblit “Shota” deklarohet i pafajshëm

Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Gjithashtu, i pafajshëm për një vepër të tillë penale është deklaruar edhe ish-zyrtari i këtij ansambli, tani i pensionuari, Nazmi Demaj.

Ata akuzohen se gjatë periudhës 2015–2018, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Ismet Bogujevcin, Xhemail Berishën dhe Luljeta Shala–Lushtaku, nuk kanë hapur konkurs publik, duke lidhur kontrata të punës, në mënyrë të kundërligjshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Shefqet Gjocaj, ka reaguar pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit, Arian Gashi, duke mohuar fajësinë.

“Nuk po e kuptoj akuzën zonja gjykatëse, se ja ka fut qaq kot ky. Jo me u mbrojt në heshtje, por të vjen me ulëritë në këtë sistem banal. Natyrisht që jam i pafajshëm, absolutisht i pafajshëm”, tha Gjocaj.

Ndërkaq, lidhur me deklarimet e tij, gjykatësja Shpresa Hasaj – Hyseni kërkoi nga ai që të përmbahet dhe të respektojë gjykatën

“Zonin mos e ngritë, nëse e ngritë zonin mu asnjë pikë përshtypje se m’bon. Na do t’i shkojmë deri në fund çështjes. Ligji ka tona opsionet, tregona pafajësinë tane dhe s’ke nevojë me ngritë zonin”, tha gjykatësja Hasaj – Hyseni.

Me deklarimin mbi fajësinë e të mbrojturit të tij, është pajtuar edhe avokati i tij, Abdullah Hoti.

Kurse, i akuzuari Demaj, deklaroi se është i pafajshëm për veprën penale me të cilën e ngarkon prokuroria.

“Jo, kam deklarua edhe më herët se unë për këtë çështje nuk e ndijë veten fajtor, mirëpo kontratën e kam nënshkruar, duke mos e ditur se ka implikime”, shtoi ai.

Ndërsa, përderisa ai nuk kishte mbrojtës gjykatësja Shpresa Hasaj – Hyseni, e ka pyetur nëse ka nevojë për avokat, por ai tha se nuk e sheh të arsyeshme që të ketë mbrojtës.

Më pas, ata janë njoftuar se kanë të drejtë të kundërshtojnë provat dhe të kërkojnë hudhjen e aktakuzës.

Shqyrtimi i dytë, sipas gjykatëses Hasaj – Hyseni, pritet të mbahet më 10 janar 2020, nga ora 11:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” Shefqet Gjocaj dhe ish-zyrtarit Nazmi Demaj.

Prokuroria ata i ngarkonte me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që në periudhën 2015–2018, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Ismet Bogujevcin, Xhemail Berishen dhe Luljeta Shala – Lushtaku, nuk kanë hapur konkurs publik, duke lidhur kontrata në mënyrë të kundërligjshme me ta si punëmarrës.

Në aktakuzë thuhet se Gjocaj, në cilësinë e drejtorit, në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë me punëmarrësit, Ismet Bogujevci, Xhemail Berisha dhe Luljeta Shala- Lushtaku.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, Demaj akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë për kohë të pacaktuar  për kryerjen e punëve specifike me punëmarrësin, Xhemail Berisha.