Mediat serbe “zbulojnë” formatin e ri të dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2019

Mediat serbe “zbulojnë” formatin e ri të dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2019

Viti i ardhshëm mund të sjellë një format të ri të dialogut. Kështu të paktën po raportojnë mediat në Serbi, përkundër se deri më tani nuk ka ndonjë propozim zyrtar.

Sipas Ivica Daçiqit, nuk do të ishte befasi nëse Kosova tenton ta përfshijë në këtë proces edhe Amerikën. Përkundër se një gjë e tillë do të mund të vërtetohet gjatë muajve në vazhdim.

Në këtë drejtim, sipas gazetës serbe Blic, mund të ketë ndryshime.

“Para se të gjithash dialogu i nivelit të lartë është ndaluar, dhe nuk dihet nëse do të vazhdojë. Situata u rëndua nga fakti se Prishtina ka vendosur taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës, të cilat kanë nxitur reagime të ashpra. Për më tepër një hap është bërë edhe para disa ditëve, ku janë bllokuar edhe mallrat e huaja”, shkruan Blic, transmeton Gazeta Insajderi.

Letrën e Trumpit për presidentin Thaçi dhe Vuçiq, mediat në Serbi po e shohin si mundësi që Amerika të bëhet pjesë e dialogut.

Daçiq para disa ditësh kishte thënë se Kosova po tenton ta përfshijë Nju Jorkun në këtë proces, pasi Mogherini sipas “kosovarëve po i përkrahë serbët”.

“Ne nuk mendojmë që mund të përfshihet Amerika, pa përfshirjen e Rusisë”, kishte thënë kryediplomati serb.

Një rëndësi të madhe mediat serbe ia kushtojnë edhe vëmendjen e dobët që BE-ja do ta ketë kah Kosova e Serbia gjatë vitit të ardhshëm.

Këtë e arsyetojnë për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, dhe Mogherini që do ta përmbyllë mandatin.

“Deri në përfundimin e zgjedhjeve, dhe udhëheqjes së re të BE-së, gjërat nuk do të përshpejtohen, përkundrazi. Kjo është një çështje tjetër që duhet marrë në konsideratë”, shkruan Blici serb.

Burimet e kësaj gazette kanë thënë se qëllimi amerikan është që ta largojnë Moskën dhe ndikmin rus nga Serbia.

“Kur kjo të ndodhë, SHBA-ja do të tentojë ta zvogëlojë ndikimin rus. Ata e dinë se vitin e ardhshëm BE-ja nuk do të ketë vëmendjen në Ballkan, dhe do të tentojë ta rrisë ndikimin e saj”, përfundon kjo gazetë.

Ndryshe, deri më tani ende nuk ka ndonjë datë për vazhdimin e dialogut mes dy shteteve. /Insajderi.com