Talibanët publikuan një kërcënim për mediet afgane, duke thënë se gazetarët do të jenë shënjestra të sulmeve për aq kohë sa mediet nuk ndalojnë të transmetojnë, siç u shprehen ata, propagandën e qeverisë kundër militantëve.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën, grupi u dha radio-stacioneve, televizioneve dhe transmetuesve të tjerë një javë kohë për të ndaluar transmetimin e njoftimeve anti-talibane, të paguara nga qeveria.
Këto njoftime u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i informojnë autoritetet nëse ata shohin ndonjë aktivitet të dyshimtë taliban.
Talibanët, të cilët i kanë sulmuar mediet në të kaluarën, thanë se mediet që refuzojnë të ndalojnë publikimin e thirrjeve të tilla, do të konsiderohen “shënjestra ushtarake”.
Nai, një organizatë afgane që mbështet mediet, e dënoi paralajmërimin e talibanëve dhe i bëri thirrje qeverisë afgane të marrë masa më të ashpra për të garantuar sigurinë e medieve.
Nai tha se nëntë incidente në media, të lidhura me talibanët, kanë ndodhur që nga fillimi i vitit dhe se ato kanë rezultuar me një gazetar të vrarë dhe një të plagosur.