fbpx

Mediet serbe: Amerikanët organizuan drekë të fshehtë me opozitën serbe

“Edhe një formë e presionit të Uashingtonit ndaj presidentit të Serbisë para bisedimeve kyçe për zgjidhje të marrëdhënieve me Kosovën”, shkruan sot gazeta serbe “Novosti”.

Mediet serbe: Amerikanët organizuan drekë të fshehtë me opozitën serbe

“Lista e zgjedhur e udhëheqësve opozitarë të ftuar në takim me zyrtarin e Departamentit të Shtetit Mattew Palmer, e në të cilën janë gjetur vetëm kundërshtarët më të rreptë të Aleksandar Vuçiqit dhe avokuesit më të ashpër të bojkotimit të institucioneve, është edhe një mënyrë e presionit të Uashingtonit ndaj presidentit serb para bisedimeve vendimtare për zgjidhjen e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, pretendon gazeta.

Në ambasadën amerikane në Beograd, të martën pasdite janë mbledhur liderët e Lidhjes për Serbi, Dragan Gjillas, Vuk Jeremiq, Zoran Lutovac, Boshko Obradoviq dhe Sergej Trifunoviq.

Burimet e gazetës pretendojnë se “kjo zgjedhje e mysafirëve për drekë, në të cilën është “shërbyer” problemi me Kosovën, aspak nuk befason. Në këtë mënyrë i është dërguar  mesazhi udhëheqjes shtetërore serbe, se në rast se nuk pranojnë të bëjnë koncesione sa i përket Kosovës, gjithmonë mund të aktivizohet opsioni i presioneve shtesë në skenën e brendshme”.

Përmbajtja e bisedimeve nuk është zbuluar, ndërsa krerët e opozitës nuk kanë dashur të flasin as për temat. Vetëm para takimit ka folur lideri i Partisë Popullore Serbe Vuk Jeremiq, i cili ka thënë se lista e të ftuarve tregon se “opozita e duhur është bërë bashkëbisedues legjitim i bashkësisë ndërkombëtare”./Insajderi.com.