Meksika dhe Kili fillojnë shpërndarjen e vaksinave anti-COVID

Meksika dhe Kili fillojnë shpërndarjen e vaksinave anti-COVID

Meksika dhe Kili janë bërë vendet e para në Amerikën Latine që fillojnë të vaksinojnë popullatat e tyre kundër COVID-19, me punonjësit e linjës së parë shëndetësore që marrin vaksinat e para, transmeton Insajderi.

Meksika, e cila ka një nga numrat më të lartë të vdekjeve në botë nga COVID-19, nisi programin e saj të vaksinimit masiv në një spital në kryeqytetin, Mexico City, në një ngjarje televizive të enjten, raporton Al Jazeera.

“Vaksina është dhurata më e mirë që mund të marr në vitin 2020″, tha infermierja 59 vjeçare meksikane Maria Irene Ramirez ndërsa mori injeksionin. “Kjo më bën më të sigurt dhe më jep më shumë guxim për të vazhduar në luftë kundër një armiku të padukshëm. Kemi frikë, por duhet të vazhdojmë”, tha infermierja Ramirez.

Nisja erdhi një ditë pasi 3.000 doza të para të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 arritën me avion korrier nga Belgjika. Personeli mjekësor ishte i pari në radhë kur filluan vaksinimet në Mexico City, epiqendra e valës aktuale të infeksioneve.

Vendi i Amerikës Qendrore tani ka më shumë njerëz të shtruar në spital për COVID-19 sesa pa në kulmin e valës së parë të pandemisë në fund të korrikut.

Në Kili, asistentja infermiere 46 vjeçare Zulema Riquelme ishte personi i parë që u shfaq duke marrë vaksinën, disa orë pasi arritën me aeroplan 10.000 dozat e para të vaksinës Pfizer-BioNTech.

“Unë jam shumë e ngazëllyer dhe nervoze – shumë emocione”, tha ajo pasi u inokulua në prani të presidentit Sebastian Pinera në kryeqytet.

“Ju jeni shpresa e të gjithëve”, i tha presidenti Pinera drejtuar infermieres Riquelme. /Insajderi.com