Mendoni dy herë para se të lini dikë të puthë beben tuaj

Mendoni dy herë para se të lini dikë të puthë beben tuaj

Askush nuk mund të rezistojë faqet topolake të bebeve. Aq të buta e të rrumbullakëta. Por siç rezulton, këto puthje në të vërtetë mund të rrezikojnë shëndetin e vogëlushit tuaj.

Claire Henderson, një nënë në Doncaster të Mbretërisë së Bashkuar, kohët e fundit postoi fotografi të foshnjës së saj të shtruar në spital me plagë nga virusi herpes. Fatkeqësisht, foshnja ishte puthur afër buzëve dhe mjekët gjetën virusin e herpesit në mjekër, faqe dhe buzë, shkruan Verywell Family, transmeton Insajderi.

Ekzistojnë dy lloje të ndryshme të virusit herpes:

  1. Virusi i herpesit oral (HSV-1)
  2. Virusi i herpesit gjenital (HSV-2)

Por foshnjat nën tre muaj nuk janë në gjendje të luftojnë kundër virusit dhe ai mund të kthehet vdekjeprurës shumë shpejt.

Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) paralajmëron se herpesi tek bebet mund të shkaktojë sëmundje serioze. Për fëmijët më të vjetër dhe të rriturit, virusi herpes thjesht mund të kryejë rrjedhën e tij, të shkaktojë plagë dhe pastaj të marrë fund. Por herpesi tek bebet, sidomos te porsalindurit, gjithmonë kërkon shtrimin në spital dhe trajtimin.

Virusi, në formë HSV-1, mund t’i kalohet një fëmije përmes puthjes, si në tregimin e Henderson, ose nga nëna tek fëmija gjatë lindjes – në formën e herpesit gjenital HSV-2. Në të sapolindurit, virusi mund të sulmojë mëlçinë, mushkëritë, sistemin nervor qendror, lëkurën, sytë dhe gojën.

Edhe me mjekimin dhe trajtimin e duhur, AAP paralajmëron se herpesi mund të shkaktojë sëmundje serioze dhe madje edhe vdekjen. Dhe natyrisht, kushdo që infektohet me herpes në çdo kohë do të jetë bartës i virusit për jetën.

Henderson postoi fotot e saj sepse nuk e kishte idenë për rrezikun e përhapjes së herpesit përmes puthjeve të thjeshta tek një fëmijë; ajo dëshironte të paralajmëronte prindërit e tjerë për shenjat dhe simptomat. Sipas AAP, disa nga shenjat dhe simptomat e herpesit tek foshnjat përfshijnë:

  • Acarim të lëkurës
  • Ethe
  • Irritimi i qepallave ose syve në muajin e parë të jetës
  • Gjëndrat e fryra
  • Humbja e oreksit

Burimi: verywellfamily.com