Merkel dhe Macron po e shpëtojnë Evropën

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macorn do të nënshkruajnë një marrëveshje për forcimin e marrëdhënieve gjermano-franceze.

Merkel dhe Macron po e shpëtojnë Evropën

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macorn do të nënshkruajnë një marrëveshje për forcimin e marrëdhënieve gjermano-franceze në mënyrë që t’i dërgojnë mesazh pozitiv Bashkimit Evropian, të dobësuar me rritje të nacionalizmit.

Franca dhe Gjermania janë pajtuar ta zgjerojnë kontratën mbi pajtimin e pasluftës nga viti 1963, në përpjekje të tregojnë se boshti i Bashkimit Evropian është edhe më tutje i fortë, përkundër rritjes së euroskepticizmit dhe nacionalizmit në disa shtete tjera anëtare.

Zgjerimin e Kontratës së Elysesë me të cilin janë pajtuar qeveritë e dy shteteve, Merkel dhe Macron do ta nënshkruajnë në qytetin kufitar gjerman Ahen, i cili është simbol i bashkimit të Evropës, transmeton Reuters.

Në tekstin e marrëveshjes shkruan se “me këtë marrëveshje dy shtete do ta zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në punët e jashtme, punët e mbrojtjes, siguri të jashtme dhe të brendshme dhe zhvillim, e njëkohësisht do të punojnë bashkërisht në forcimin e aftësisë së Evropës që veprojë në mënyrë të pavarur”.

Me zgjerimin e kësaj kontrate precizohet se një nga prioritetet e diplomacisë francezo-gjermane do të jetë lufta që Gjermania të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin ajo tashmë me vite po përpiqet ta sigurojë ndikimin e saj më të madh, e ku tashmë gjenden aleatët e saj SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, pretendon agjencia britanike.

Edhe pse është e qartë se Gjermania dhe Franca do të mbeten të përkushtuara ndaj BE dhe NATO-s, kjo marrëveshje është sinjal i qartë se këto dy shtete do t’i bashkojnë përpjekjet në luftë kundër disa politikanëve nacionalistë në mënyrë që ta ruajnë Bashkimin Evropian me 28 anëtare, pretendon Reuters.

Ky është konfirmim i qartë se, duke u përballur me sfida të reja siç janë administrata e presidentit Donald Trump në SHBA, dhe qeverive në Itali, Poloni dhe Hungari, Merkel dhe Macron nuk duan asnjë përparim për partitë euroskeptike në Parlamentin Evropian, vlerëson Reuters./Insajderi.com.