fbpx

Merkel: Evropa do të jetë e bashkuar kur i gjithë Ballkani Perëndimor bëhet pjesë e BE

Evropa do të jetë vërtetë e bashkuar vetëm kur gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor bëhen anëtare e Bashkimit Evropian, ka porositur kancelarja gjermane Angela Merkel.

Merkel: Evropa do të jetë e bashkuar kur i gjithë Ballkani Perëndimor bëhet pjesë e BE

Merkel ka folur në Hungari, në shënimin e 30 vjetorit të ashtuquajturit “Pikniku Panevropian” – ngjarje simbolike e cila ka sjellë deri te eksodi masiv i banorëve të Gjermanisë Lindore në perëndim, dhe rënien përfundimtare të “Perdes së Hekurt” dhe afrimit të Evropës perëndimore dhe lindore.

Mirëpo, kancelarja ka theksuar se uniteti evropian nuk do të finalizohet derisa i gjithë Ballkani Perëndimor nuk i bashkohet Bashkimit Evropian.

“Nëse i shikoni gjërat në mënyrë gjeostrategjike e gjithashtu e shikoni hartën, do të shihni se Evropa do të jetë vërtetë e bashkuar vetëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Merkel në qytetin hungarez Shopron, transmeton Politico.

Deklarata e kancelares gjermane, siç transmeton kjo medie, paraqet edhe një konfirmim të përkushtimit të Berlinit për zgjerim të Bashkimit Evropian, gjë që është një ide jo e popullarizuar në mes të disa anëtare të BE dhe shumë votuesve në Evropën Perëndimore.

Presidenti francez Emmanuel Macron viteve të fundit ishte posaçërisht skeptik në pikëpamjen e zgjerimit./Insajderi.com.