Merkel kërkon nga Erdogani të lirohen gjermanët nga burgjet turke

Merkel kërkon nga Erdogani të lirohen gjermanët nga burgjet turke

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan lirimin e shtetasve gjerman nga burgjet turke të cilët janë arrestuar pas tentimit të puçit ushtarak në këtë vend në vitin 2016, transmeton RSE.

Kjo ka sjellë ftohje të marrëdhënieve në mes të Berlinit dhe Ankarasë. Autoritetet gjermane kanë kumtuar se 35 shtetas të tyre janë arrestuar, siç theksojnë, për shkaqe politike.

Në ndërkohë shumica janë liruar, por pesë prej tyre ende kanë mbetur në burg. Merkel pas takimit me Erdoganin në Berlin, ka thënë në konferencë për medie se insiston dhe do të insistojë, që këto raste të zgjidhen sa më parë.

Merkel ka shtuar se ekziston interesi i përbashkët strategjik për marrëdhënie të mira. Mirëpo ka shtuar se për çështjet siç janë demokracia dhe shoqëria e hapur dhe e lirë, ekzistojnë dallime të thella.

Erdogan ka thënë se autoritet turke i kanë liruar ata për të cilët kanë konsideruar se kjo është e bazuar.

Njëkohësisht, ai ka kërkuar nga autoritetet gjermane ekstradimin e pjesëtarëve të lëvizjes së klerikut mysliman Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon se qëndron pas tentimit të grusht shtetit.

Mergel është përgjigjur se janë të nevojshme informatat shtesë për t’u vërtetuar se a mund të renditet lëvizja e gulenistëve në kategori të njëjtë si Partia Punëtore Kurde (PKK), të cilën shumë vende e konsiderojnë terroriste./Insajderi.com.