Merr pjesë në një festë për COVID-19, ndërron jetë 30 vjeçari

Merr pjesë në një festë për COVID-19, ndërron jetë 30 vjeçari

Një burrë 30-vjeçar që besonte se coronavirus-i ishte një mashtrim dhe kishte marrë pjesë në një “COVID Party”, vdiq pasi u infektua me virusin, sipas një spitali në Teksas, shkruan New York Times, transmeton Insajderi.

Burri kishte marrë pjesë në festë me një person të infektuar për të provuar nëse coronavirus-i ishte i vërtetë, tha Dr. Jane Appleby, zyrtare kryesore mjekësore në Spitalin Metodist në San Antonio, ku vdiq burri.

Ajo nuk tha kur u zhvillua festa, sa njerëz morën pjesë ose sa kohë pas ngjarjes ishte njeriu i shtruar në spital me Covid-19. Burri nuk u identifikua publikisht.

Premisa e festave të tilla është testimi nëse virusi ekziston me të vërtetë ose të ekspozojë qëllimisht njerëzit ndaj coronavirus-it në përpjekje për të fituar imunitet.

Dr Appleby tha që burri i kishte thënë infermieres të tij se ai kishte marrë pjesë në një festë Covid. Pak para se të vdiste, ajo tha se pacienti i tha infermieres: “Mendoj se bëra një gabim. Mendova se kjo ishte një mashtrim, por nuk qenka kështu”. /Insajderi.com