Mësohet nëse do të kompensohet mësimi i humbur shkaku i grevës

Mësohet nëse do të kompensohet mësimi i humbur shkaku i grevës

Albulena Makolli është studente e vitit të tretë në Fakultetin Filozofik.

Edhe pse ajo është përgatitur me ditë të tëra, gjatë së martës iu komunikua se dy provimet e parapara nuk do të mbahen për shkak të grevës në UP, raporton KTV.

Brenda UP-së situata ka qenë e paqartë shkaku i grevës, derisa fakultetet, ndaras kanë vendosur nëse do t’i anulojnë provimet ose jo.

Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, ka treguar se janë anuluar 3 provime.

Profesorët universitarë kanë paga më të larta se të nivelit fillor e të mesëm, por Gashi ka thënë se kërkesa e përgjithshme është rritja e koeficientit.

Por, shkaku i grevës vazhdojnë të pësojnë edhe fëmijët e ciklit të ulët dhe të mesëm.

Klasa e parë deri në të katërtën, në ditë i mban 5 orë mësimi dhe për 7 ditë të grevës llogaritet se nxënësit kanë humbur 35 orë mësimi dhe shumë njësi mësimore.

Ndërkaq, cikli i mesëm i ulët, ose klasa e pestë deri në të nëntën, në ditë mban 6 orë, që i bie se nxënësit kanë humbur 42 orë mësimi.

Mësimdhënësit kanë thënë se nëse greva ndërpritet shpejt, do të mundohen t’i kompensojnë njësitë mësimore, megjithëse kjo nuk do të bëhet në fundjavë, por vetëm gjatë mësimit të rregullt.

Por, nëse greva vazhdon, ata thonë se nuk do të arrijnë ta kompletojnë fare plan-programin mësimor të një viti.

Zyrtarë të SBASHK-ut, kanë konfirmuar se orët e humbura nuk do të zëvendësohen.

Sipas SBASHK-ut, në të gjitha komunat e Kosovës nuk po mbahet mësimi, derisa në Deçan, që u paralajmërua se u ndërpre greva, Sindikata thotë se mësimi është mbajtur vetëm në shkollën fillore të Glloxhanit.