Përveç Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka aplikuar në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.
Këtë e ka konfirmuar Insajderin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Kemi pranuar edhe një aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur aplikimin për zgjedhjet për kryetarë në këto 4 komuna”, ka thënë Elezi.
Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore më 19 maj.
Kujtojmë se katër kryetarët e këtyre komunave veriore, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.
Ndërkaq, sot Qeveria ka ndarë 471 mijë euro për KQZ-në, për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut.