Mësuesit shqiptarë në një vizitë studimore në Zvicër

Mësuesit shqiptarë në një vizitë studimore në Zvicër

“Swisscontact” ka ftuar 24 mësues shqiptarë të shkollave profesionale, përfaqësues të sektorit privat dhe politikanë, për t’u njohur me sistemin zviceran të arsimit profesional. Ata do të shohin nga afër praktikën profesionale që bëhet në Zvicër, që nuk është e zakonshme në Shqipëri.

Për pesë ditë, ata vizituan aktorë të ndryshëm, qendra karriere, kompani trajnimi dhe shkolla profesionale, shkruan ‘businessmag.al’.

Shumë të rinj në Shqipëri nuk kanë mundësi për të kryer trajnim praktik profesional dhe më pas e kanë të vështirë në jetën profesionale.

“Swisscontact” e ka marrë përsipër këtë sfidë nëpërmjet projektit “Aftësi për Punë” (S4J), përcjell albinfo.ch.

Vizita studimore në Zvicër tregon zgjidhjet e mundshme dhe shërben si frymëzim për ndryshim.

“Hap pas hapi, ne po çojmë përpara ndryshimet që mund të zbatohen nga shkollat dhe kompanitë. Në këtë vizitë studimore pjesëmarrësit po shohin nga afër një sistem që funksionon më së miri. Ata mund të marrin ide, të drejtojnë pyetje dhe të diskutojnë me njëri-tjetrin në lidhje me mënyrën se si një gjë e tillë mund të zbatohet edhe në Shqipëri. Ata po bashkohen dhe po kthehen në një komunitet të vërtetë që nxit ndryshimet në Shqipëri”, ka thënë Fation Dragoshi, menaxher i projektit të “Swisscontact”.

Udhëtimi fillon me një vizitë në qendrën e karrierës së Cyrihut. Pjesëmarrësit do të mësojnë se si funksionon sistemi arsimor në Zvicër, veçanërisht formimi profesional.

Ata janë të mahnitur nga bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet kompanive, shkollave dhe autoriteteve.

Një pikë tjetër ndalese është një vizitë në një kompani që punëson praktikantë, ofruesi pritës Aspectra. Markus Hwfeli është mjeshtri dhe tregon se çfarë do të thotë për një kompani që të trajnojë praktikantët. Ai thekson se praktikantët janë plotësisht të përfshirë në punën e përditshme dhe marrin përsipër përgjegjësi që nga dita e parë e punës. Është e qartë që avantazhet janë më të mëdha sesa kostot.

Në pjesën e dytë, pjesëmarrësit vizitojnë Qendrën e të Dhënave të Interxion, ku Aspectra ka dhomat e serverit të saj. Ata shohin nga afër se ku dhe se çfarë pune po kryejnë praktikantët. Dhe, ka edhe një surprizë: Udhërrëfyesi është shqiptar, një punonjës i Aspectra i shoqëron pjesëmarrësit nëpër qendrën e të dhënave duke ju shpjeguar çdo gjë në gjuhën e tyre amtare. Ata diskutojnë dhe komentojnë me këtë punonjës për sistemet e ftohjes, transformatorët dhe gjeneratorët.

Shqipëria synon të forcojë dhe përmirësojë sistemin e saj të formimit profesional në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Punë dhe Aftësi (2014-2020).

“Swisscontact” po e mbështet këtë duke zbatuar projektin e SDC-së “Aftësi për Punë”, i cili adreson sfidat e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri.

“Aftësi për Punë” përmirëson cilësinë e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri duke forcuar trajnimin praktik dhe duke siguruar një bashkëpunim më të ngushtë midis shkollave dhe sektorit privat. Në këtë mënyrë, numri i të rinjve që përfitojnë nga edukimi i mirë është më i lartë.