Meta dekreton anëtarin e 6-të në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri

Meta dekreton anëtarin e 6-të në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri

Presidenti, Ilir Meta ka përzgjedhur Përparim Kalon për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Me lëshimin e këtij dekreti nga kreut i shtetit, Kushtetuesja bëhet me gjashtë anëtarë, duke iu rikthyer funksionalitetit pas një kohe të gjatë pezullimi, njofton Insajderi.

Vendimi i Meta vjen pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kishte dërguar një listë me dy kandidatë për plotësimin e vakancës. Në këtë listë, KED kishte vendosur në krye Aleksandër Tomën ndërsa i dyti në bazë të pikëve ishte Përparim Kalo.

Ndërkohë të enjten e kaluar Parlamenti votoi me 96 vota pro Altin Binaj si anëtar i pestë i Gjykatës Kushtetuese dhe një ditë më parë ai kreu dhe betimin para Presidentit duke marrë kështu zyrtarisht detyrën.

Praktikisht, tashmë me firmosjen e dekretit do të pritet betimi i Përparim Kalo para Presidentit që Gjykata Kushtetuese të cilësohet funksionale.

Presidenti në dekret thekson se, vendimin e ka marrë “duke vlerësuar nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese”, duke lënë të nënkuptohet se në rrethana të tjera do të kishte kërkuar një listë me të paktën tre kandidatë siç edhe parashikohet në ligj./Insajderi.com